Maqedonia e Veriut mbyll baret dhe restorantet pas orës

Nga e mërkura, 20 tetor, në Maqedoninë e Veriut po zbatohen rregulla të reja dhe më të ashpra kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Masat lidhen kryesisht transportin publik, punën e bareve dhe restoranteve dhe administratën publike.

Vendimi i qeverisë parashikon që të gjitha lokalet dhe restorantet të punojnë deri në orën 23:00, transporti publik ta reduktojë në 50 për qind kapacitetin e pasagjerëve, ndërsa institucionet shtetërore dhe publike duhet ta organizojnë punën e tyre me turne apo të praktikojnë punën nga shtëpia.

Qeveria ka lënë në fuqi edhe masën për mbajtjen e aktiviteteve sportive pa praninë e tifozëve.

Ndërkohë, ende nuk ka marrëveshje mes partive për masat e tjera që lidhen me mbajtjen e maskës në mjedise të hapura, ndalimin e grumbullimit të më shumë se katër personave pas orës 22:00, si dhe ndalimin e vizitave të më shumë personave nëpër familje.

Këto masa nuk mund të miratohen pa mbështetjen e opozitës, meqë shumica parlamentare nuk i ka votat e mjaftueshme.

Partia kryesore e opozitës VMRO DPMNE thotë se qëndrimin e saj do ta zbulojë pas shqyrtimit të masave dhe vlerësimit të nevojës për miratimin e tyre.

Opozita ka kërkuar edhe shkarkimin e Komisionit të Sëmundjeve Infektive dhe zëvendësimin e tij me një komision të ri prej 11 anëtarësh. Maqedonia e Veriu po regjistron çdo ditë një numër të lartë infektimesh të reja, sikurse edhe pjesa më e madhe e Europës.