Teliti i përgjigjet Ramës me shifra: Po planifikon t’u marrësh qytetarëve edhe 400 mln euro

Eksperti për Ekonominë pranë Partisë Demokratike, Dorjan Teliti i përgjigjur kryeministrit Edi Rama për çështjen e inceneratorëve. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Teliti është shprehur se pronari i vërtetë i tre inceneratorëve që kanë gllabëruar 75 milionë euro është Edi Rama. Ai sqaron më tej se vëllimi i mbetjeve të trajtuara në vitin 2019 është rritur vetëm 15%, ndërkohë që Rama po planifikon t’u marrë shqiptarëve 400 mln euro.

Reagimi i plotë: 

ER pronari i vërtetë i 3 inceneratorëve që kanë gllabëruar deri më sot 75 milion euro nga paratë e taksave dhe s’kanë punuar kurrë, u thotë shqiptarëve se 37% më shumë shqiptarë mbulohen sot nga trajtimi i plehrave. E vërteta është krejt ndryshe! Vëllimi i mbetjeve të trajtuara në vitin 2019 është rritur vetëm 15%, ndonëse inceneratorët e Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt dhe Klodian Zotos u kanë marrë shqiptarëve 75 milion euro dhe planifikojnë t’u marrin edhe 400 milion euro të tjera në vitet në vijim.

 Ky reagim i Telitit erdhi, pasi mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama publikoi shifrat e sistemit të grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve, të cilat sipas tij nga viti 2013 e deri në 2020 janë rritur duke shkuar në 87.9%. Rama theksoi se këto të dhëna tregojnë përpjekjen e qeverisë që ka bërë për të mos e lënë vendin me male plehrash që ka qënë vite më parë.