Ish ministri Lefter Koka pyetet për kompaninë e inceneratorëve: Nuk më kujtohet

Ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i akuzuar nga Partia Demokratike dhe i denoncuar në SPAK, si person i përfshirë në aferën e inceneratorëve, është pyetur në emisionin “Open”, se kush është kompania që qëndron pas inceneratorëve, specifikisht atë të Elbasanit.

Përgjigja që dha ish ministri ishte në kufijtë e tronditëses: Nuk më kujtohet!

Në fakt, gjatë të gjithë bisedës, Koka është munduar të mbrojë veprimet e veta, duke përmendur disa herë se koncesionin e kanë dhënë katër institucione, pra jo vetëm ministrie e mjedisit e drejtuar prej tij dhe ka thënë se katër institucione nuk mund të gabojnë.
Ish ministri u shpreh gjithashtu se kompania ishte e huaj, por nuk ishte në gjendje të shqiptonte emrin e kësaj kompanie dhe kapitalin e saj, me gjithë këmbënguljen e të ftuarve në studio.

Pjesë nga biseda:

Eni Vasili: Kush janë përfituesit, përse kanë buxhet kaq të ulët?

Andi Bushati: Keni miratuar që kompania të marrë koncesionin? Kush është kjo?

Lefter Koka: Nuk më kujtohet, është një markë.
Të mos veshim gjithçka me akuza. Pajisjet janë sipas kontratës dhe janë të vitit 2016. Nëse dëshironi shkoni atje, pajisjet janë atje. Nëse është thënë nuk do të ketë emetim gazrash, matini.

Arjon Sulo: Ne kemi dyshimet se këtu ka një aferë. Përshembull Albtek Energy, që ju keni firmosur, në Elbasan, është themeluar në vitin 2014 me kapital 100 mijë lek, pas tre muajsh ka firmosur kontratën koncesionare. Eksperienca, kapitali, pa tender, përse me negocim të drejtpërdrejt?

Lefter Koka: Sapo fola me bashkëpunëtorët, nuk është kompania që përmende. Kompanitë që bëjnë ofertën e pakërkuar, janë prodhues të një teknologjie. Kompani që operojnë në Shqipëri dhe bëjnë punët janë shqiptare. Kompania që ka paraqitur ofertën, është për t’u ndjekur, nëse ka patur koston e impiantit…

Andi Bushati : Nuk po marrim përgjigje për kompaninë?

Lefter Koka: Nuk është kompania që përmendi zotëria. Eshtë kontratë me negocim pa shpallje. Kishim situatë në Elbasan dhe vendodhja e mbetjeve ishte në qendër, u shpall edhe emergjencë mjedisore. Ka një kontratë të firmosur nga katër institucione.

Arjon Sulo: Përse me 100 mijë lek kapital?

Lefter Koka: Kompania duhet të mbulojë dhe mbulon të gjithë kapacitetet. Nuk jam në gjendje të them çfarë përfaqëson kompania, por nuk mund të besoj që katër institucione të kenë mbyllur sytë.

Arjon Sulo: Përse pa përvojë kompani?

Lefter Koka: Kompania që ka bërë ofertën është kompani e huaj.

Tabaku: Kompania AlbTech Energy, është krijuar vetëm tre ditë, pasi bashkia ka marrë okej nga ministria e zotit Koka, që ka gjendje emergjence. U krijuar tre ditë pas kësaj. Nuk ekziston një procedurë që ju e quani negocim pa shpallje. E dini se studimin e fizibilitetit e ka bërë Klodian Zoto dhe ka thënë duhet një investim i tillë dhe ka aplikuar po kompania e Zotos.

Andi Bushati: Vjen zonja me 100 mijë lek në xhep dhe thotë do ju pastroj plehrat. Thotë për këtë mrekulli më duhen 21 milionë euro. Ju jeni ministri që firmosni për këtë. Kush e gjykoi, kë mblodhët, me kë u konsultuat, se sa kushton kjo? Si u mor vendimi, që kjo kërkon kaq dhe ju jepni fiks kaq?

Lefter Koka: Cfarë është kjo që po thua? Si munden katër institucione, të vijë një njeri me 100 mijë lek, jeni në vete?

Andi Bushati: Ti si titullar, përse nuk gjykuat, përshembull mund të bëhet me 15 milionë. Kë pyetët ju? Kush e gjykoi këtë?

Lefter Koka: Katër institucione. Sigurisht ka specialistë.

Andi Bushati: Keni një dokument, se kush ka firmosur? Ka një grup specialistësh, se kjo ndodh kur nuk ka aferë korruptive. Se ashtu, vjen njëri thotë kjo rrugë bën 300 milionë, ti ja jep…

Lefter Koka: Kishte një vit oferta e pakërkuar. Vinin qindra e mijëra ndërtues të impianteve dhe bëjnë propozime, sepse kanë interesin e tyre. Kjo ofertë kisthe një vit e analizuar.