Çfarë pati Ilir Meta?


REDAKSIONALE

Gjatë konferencës së sotme për shtyp në ambientet e presidencës, Ilir Meta në eufori revolucionare, duke iu përgjigjur plot pathos pyetjes nëse duke marrë shumë protagonizëm ai po ndërhyn në “territorin” dhe në rolin e kryetarit të opozitës, deklaroi: “I them zotërisë t’i tregojë popullit se është peng”. Meqenëse pyetja iu drejtua në lidhje me z. Basha, komentatorët e politikës e interpretuan sikur Ilir Meta goditi Lulzim Bashën duke e quajtur të marrë peng. Menjëherë zëdhënësi i shtypit në presidencë e përgënjeshtroi duke deklaruar se fjalia i drejtohej Edi Ramës dhe jo Lulzim Bashës.

Megjithatë deklarata ishte e çuditshme.

Ilir Meta sot paraqitet si Avni Rrustemi, si Vojo Kushi dhe si Mic Sokoli i cili është gati t’i vërë krahërorin topit të Edi Ramës, vetëm për të shpëtuar Shqipërinë. Mirëpo Ilir Meta i pati të gjitha mjetet për ta ndaluar që Edi Rama të vinte deri në ketë ditë, në ditën kur Rama po i qëllon shqiptarët me top.

Ilir Meta me nënshkrimin e koalicionit me Edi Ramën në 1 prill 2013, solli Edi Ramën kryeministër. Më pas ndihmoi Edi Ramën për të miratuar reformën territoriale, reformë shkatërruese e shtetit dhe reformë e llogarive elektorale për tia forcuar atij pushtetin. Po të donte nuk e miratonte sepse Rama nuk i kishte votat, kishte vetëm 65 deputetë nga 84 që nevojiteshin.

Ilir Meta ndihmoi Edi Ramën për të miratuar në mënyrë të njëanëshme të dhunshme e pa konsensus me opozitën 6 ligjet plotësuese të “Reformës në Drejtësi”, duke ia forcuar edhe më shumë pushtetin. Po të donte Meta e kishte ndaluar Edi Ramën, pa premtuar se do t’i vërë krahërorin topit si Mic Sokoli por vetëm duke mos bashkuar votat me Ramën.

Me votat e Ilir Metës u miratua ligji i arsimit të lartë, ligji klientelist i cili shkatërron arsimin. Po të donte mund ta kishte ndaluar duke mos bashkuar votat dhe nuk kishte nevojë të zotohej se do sakrifikohet si Salvador Alende.

Pra Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor në instalimin e diktaturës së Edi Ramës, duke goditur e duke ironizuar kreun e opozitës z. Lulzim Basha. Sot është mirë që e ka kuptuar gabimin, mirëpo kuptimi i gabimit shoqërohet me kërkimfalje publike, jo duke tentuar të dalë kundër të gjitha partive, duke u paraqitur si pol i ri, pa përgjegjësi për të shkuarën e që kritikon prej lart edhe qeverinë edhe opozitën. Nuk është vendi e as koha për axhendë personale por vetëm për axhendë të përbashkët kundër rrezikut kombëtar me emrin Edi Rama.

Për hir të së vërtetës Partia Demokratike është dëshmuar besnike dhe bashkëpunuese ndaj qëndrimeve të presidentit, aq sa edhe ia mbushi sheshin me datën 2 mars për tia shpëtuar nderin duke mos e lënë të turpërohej me pak njerëz në shesh. Partia Demokratike, duke qenë e vetëdijshme se kërcënimi serioz dhe rreziku shkatërrues për shtetin quhet Edi Rama, nuk ka tentuar në asnjë moment ta godasë presidentin, ta delegjitimojë rolin e tij dhe t’i dobësojë qëndrimet e tij kundër vrullit diktatorial të Edi Ramës.

Ndaj edhe Ilir Meta duhet të jetë mirënjohës e të mos tentojë as pa dashje, as me lapsus frojdjan të godasë e të delegjitimojë rolin e kyç të Partisë Demokratike dhe të liderit të saj. Pa Partinë Demokratike përballë, Edi Rama sundon i qetë dhe eleminon edhe Ilir Metën nga politika. Me Partinë Demokratike përballë, Edi Rama rrëzohet nga pushteti sepse demokratët shqiptarë janë forcë popullore e pathyeshme kur mobilizohen. Dhe demokratët shqiptarë as nuk joshen me dy gishta, as miklohen duke iu lavdëruar z. Berisha, ata mobilizohen vetëm nga partia e tyre dhe ndjekin vetëm liderin e tyre z. Lulzim Basha.