“75 milionë për inceneratorët, por vendi është i mbytur në plehra”. Basha: Pyetja që nuk I japin dot përgjigje

“75 milionë për inceneratorët, por vendi është i mbytur në plehra”. Basha: Pyetja që nuk I japin dot përgjigje është se ku shkuan paratë e shqiptarëve!

Enkel Demi: Kemi 3 inceneratorë, në Tiranë, në Elbasan dhe në Fier.
Lulzim Basha: Në fakt nuk kemi asnjë. Kemi 2 karabina, një në Tiranë dhe një në Fier. Dhe një impiant të dyshimtë i cili, në qoftë se shikon sahatin e prodhimit të energjisë ka punuar vetëm 23 ditë në 3 vjet.
Enkel Demi: Unë i konsideroj që i kemi për arsye sepse qeveria i ka paguar.
Lulzim Basha: I kemi paguar por nuk është se i kemi. Janë dy gjëra të ndryshme.
Enkel Demi: Janë 70 e ca million euro.
Lulzim Basha: 75 milion euro.
Enkel Demi: 75 milion Euro të cilat janë dhënë. Në rradhë të parë meqë ju keni qenë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, a ka nevojë Shqipëria për kaq shumë inceneratorë në këtë territor kaq të vogël? Në këtë trekëndësh Tiranë, Elbasan, Myzeqe?
Lulzim Basha: E para është që strategjia e trajtimit të plehrave në vend nuk ka qenë kurrë më inceneratorë. Shqipëria gjithmonë ka patur nevojë të marrë ndihmë nga jashtë për të siguruar procese të tilla siç është procesi i trajtimit të mbetjeve urbane. Dhe në raport me trajtimin e plehrave ne kemi marrë ndihmë nga qeveria gjermane dhe nga Banka Botërore dhe këtë e ka marrë edhe qeveria jonë 2005-2013 dhe qeveria socialiste para nesh dhe këta kanë vazhduar. Në një moment kryeministri aktual thotë jo, nuk më duhet më ndihma juaj, nuk më duhet më këshilla juaj. Këshilla e këtyre ishte, mos i digjni plehrat. Mos digjni plehrat por bëni diferencim dhe riciklim. Në një moment këta thonë jo. Hedhin poshte miliona euro që na kishin dhënë ata, që janë të taksapaguesve të tyre për të ndërtuar strategjinë dhe brenda një dite të vetme pa tender, pa garë, i japin një njeriu të vetëm që ka krijuar një kompani me një mijë euro kapital i japin në fillim inceneratorit të Elbasanit, pastaj të Tiranës, pastaj të Fierit, i japin plot 75 milion euro pagesa deri më sot dhe 400 milion Euro pagesa për vitet e ardhshme për të bërë djegjen e plehrave. Por e çuditshmja është që megjithëse kanë marrë këto 75 milion euro, as Tirana, as Fieri nuk kanë inceneratorë, pra paratë i kanë marrë. Fieri deri para ca kohësh nuk ka asnjë të punësuar në bilancin që ka nxjerrë vetë Ministria e Financave dhe pyetja është ku kanë shkuar këto para? Pse u bë pa tender? Pse brenda një dite u morrën këto vendime nga qeveria për t’ja dhënë një njeriu të vetëm me një mijë euro, pa asnjë garë, pa asnjë transparencë, pa asnjë përvojë në trajtimin e plehrave, gjithë këto para të qytetarëve shqiptarë. Dhe këto janë pyetje të cilave duhet t’i japë përgjigje në radhë të parë qeveria dhe kryeministri që kanë firmosur këto vendime dhe në bazë të këtyre vendimeve kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin miliona euro edhe në kohë pandemie një personi të vetëm që i ka fshehur kompanitë dhe i fsheh të ardhurat jashtë Shqipërisë në parajsa fiskale. Pse duhet t’i fshehë? Së dyti duhet t’i japë përgjigje pyetjes që ka ngritur vetë Ministria e Financave, kanë marë 75 milion euro por kanë investuar në rastin më të mirë 20 %, ku i kanë çuar 80% të këtyre parave? Dhe padyshim duhet të japin përgjigje si ka mundësi që ti ke investuar kaq shumë para ndërkohë që Shqipëria vazhdon të jetë e mbytur në plehra.