Pse zgjidhjet magjike, nuk shpëtojnë dot një popull të dëshpëruar?

Nga Ledian Droboniku

Në pamundësi për të hapur Temat e Mëdha që mbajnë peng vendin, opozita bën akrobacira si propozimi i dënimit me vdekje.
Përtej pengesave procedurale (izolimi i Shqipërisë nga marrëveshjet dhe komuniteti ndërkombëtar) problemi më i madh mbetet efektiviteti real i dënimit kapital.

Me një sistem oligarkik që ka uzurpuar shtetin, drejtësinë, ekonominë, median, akademinë, ojf etj, kush mendon se do dënohet me vdekje: oligarkët apo njerëzit e thjeshtë që zihen për gardhin apo vijën e ujit?

Nëse magjistratët shqiptarë, nuk guxojnë këto 28 vite, të dënojnë me 1vit burg a sekuestrim pasurie oligarkët, si mund të shpresojmë që këta do japin dënime me vdekje?
Aktualisht sot në burgjet shqiptare (84%) janë njerëz të varfër që nuk kanë blerë dot “drejtësinë”.
Pjesa tjetër trafikantë, por nuk ka asnjë politikan, deputet, ministër, prokuror a gjykatës, kryetar komune, rektor a dekan, president firme a drejtor televizioni etj. E megjithatë krimet për shkatërrimin e vendit i kanë bërë këta. Devijimin e institucioneve nga interesi publik i bëjnë ata që kanë pushtet financiar, ekonomik e mediatik, por propaganda fajëson krimin ordiner e njerëzit e thjeshtë.

Interesante do ishte nëse bashkë me dënimin me vdekje, do propozohej dhe Juria Qytetare. Kështu pushtetarët nuk do dënonin njëri-tjetrin, por do ishin qytetarët. Por çuditërisht këtë nuk e propozon askush dhe pse Juria Qytetare, parashikohet në shumicën e vendeve perëndimore.

Ja pse zgjidhja nuk është forcimi i pushtetit oligarkik, por kalimi i instrumentave vendimmarrës e pjesëmarrës popullit shqiptar.
Ky do ishte fundi i oligarkisë dhe Normalizimi i Shqipërisë.

Kasta kupton forcën e popullit.
Populli vetë, ende jo.
Ja pse duhet VETËDIJËSIM për Demokracia Pjesemarrese e jo eksitim si turrma pa ide e vullnet!