“Nuk jemi në një situatë paniku apo alarmi” – flet mjeku italian

“Që ka pasur një përshpejtim, në 10-15 ditët e fundit, në numrin e infeksioneve në të gjithë Italinë është një fakt. Por do të isha i kujdesshëm para se të flisja për rritjen eksponenciale. Ne nuk jemi në këtë situatë ”.

Kështu deklaroi presidenti i Këshillit të Lartë të Shëndetit në Itali, Franco Locatelli. Ai tha për mediat italiane se nuk ka vend për panik dhe se situata ndryshon shumë nga marsi e prilli, kur ishim në gjendje alarmante.

“Numrat duhen parë me vëmendje dhe vigjilencë maksimale. Ne nuk jemi në një situatë paniku dhe as alarmi. Pothuajse të gjithë të infektuarit janë asimptomatikë. Ne kemi gati 700 njerëz të shtruar në kujdes intensiv, një numër që nuk është i krahasueshëm me pikun gjatë pranverës”, tha profesori.

Mjeku shtoi se nuk duhet të ketë ndalim të qarkullimit në orët e mbrëmjes.

“Nuk mendoj se duhet të arrijmë në një shtetrrethim në mbrëmje për të kundërshtuar përhapjen e infeksioneve të koronavirusit. Sigurisht që duhet të bëhet kujdes për tubimet. Në Itali ne kemi mësuar të mbrohemi.”

Locatelli më pas deklaroi se shkollat duhet të qëndrojnë të hapura.

“Shkollat së pari. Shkollat, së bashku me punën dhe aktivitetet productive. Është bërë një përpjekje e jashtëzakonshme dhe duhet të qëndrojnë hapur. Shkolla nuk jep asnjë kontribut në përhapjen e virusit.”

Sa i takon vaksinës, Franco Locatelli tha se mund të jetë në dispozicion në pranverën e 2021.