Edi Rama krushku i gabuar për martesën Shqipëri-Europë


ARBEN KASHAHU

Në Munih dje Rama më ngjau si një ateist në meshë. Fjala e tij shënoi një moment tjetër sulmi ndaj idesë së Europës. Nga ana tjetër ishte gati t’i blatohej asaj si një dashnor i verbër. Një teknikë e përdorur prej tij më shumë se një vit tashmë. E godet idenë e Europës tek shqiptarët sa herë ti jepet mundësia, duke u munduar kinse po e mbron atë. Friedrich Nietzsche ka përkufizuar se “mënyra më perverse për të dëmtuar një kauzë është ta mbrosh atë me argumentat e gabuara”. Këtë po bën Rama prej disa kohësh me kauzën e Europës. Në Munih dje deklaroi se Shqipëria është në një pozicion të cuditshëm, ne jemi në një dashuri të verbër me Europën dhe duam të martohemi por nuk flasim. Europa nuk na flet. Si mund të martohemi pa folur? Ai shpesh argumenton se ne e duam Europën e duam integrimin por nuk jemi ne problemi, është vetë Europa me gjithë përcarjet e brendshme të saj. Nuk është faji jonë se Macron sherroset me Le Pen dhe në fund e hamë ne. Ka treguar përralla me krushq dhe ai vetë kryekrushku që u nisën për të shpallur fejesën me BE, por kjo e fundit i ktheu mbrapsh. Pra ne e duam, por është ajo Europa që nuk pranon. Duke u viktimizuar përpara një publiku që ky i fundit ta marrë në mbrojtje. Një provokim i pastër i ndjenjave euroskeptike në Shqipëri. Po pse serbët, malazezët e së fundmi maqedonasit e veriut nuk trajtohen kështu nga Europa? Përkundrazi, BE po hap kapituj të rinj me dy të parët dhe deklaron se do të vijojë të organizojë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Maqedoninë sapo të jetë gati. A ka një fuqi të madhe në Europë e botë kundër Shqipërisë e ne nuk e dimë? Nëse jo, pse vallë nuk na pranoka vetëm ne Europa? Këto janë pyetjet, përgjigjet e të cilave fshikullojnë Kryeministrin. Produkti i qeverisë së tij është inferior në krahasim me produktin e qeverive të homologëve të tij në rajon. Krimi ordiner, i organizuar, elektoral e shtetëror, sëbashku me korrupsionin dhe pastrimin e parave janë në nivelet rekord të larta, ndërsa demokracia dhe ekonomia në nivelet rekord të ulëta. E vërteta është se Europa e ka derën hapur për Shqipërinë, por e ka mbyllur për Edi Ramën.

Por krejt ndryshe nga ai, shqiptarët idenë e Europës krahas me idenë e kombit e kanë vendosur një nga dy kauzat më të mëdha të këtij cerek shekulli. Populli i ka identifikuar këto kauza dhe i ka komunikuar ato me gjuhën e tij, atë të popujve. Kështu ka bërë me monumentalen “E duam shqipërinë si gjithë Europa” që në krye të këtij tridhjetëvjecari post murit të Berlinit.

Europa për ne përfaqëson lirinë, mirëqenjen, prosperitetin, dijen dhe kulturën që ne do të donim të ndanim me këtë bashkësi. Për Edi Ramën përfaqëson një listë kushtesh, zbatimi i të cilave e bën armik me bashkëpunëtorët e tij dhe moszbatimi i tyre e bën armik me vetë kauzën Europiane të popullit të tij. Pra Europa, për të është një makth që e ka përndjekur e refuzuar këto 8 vite të qeverisjes së tij, që ai po rreket të hakmerret. Ajo është autore e shumë fjalimeve në parlamentin e saj, e shumë qendrimeve përcmuese për dështimet e tij qeverisëse, e shumë artikujve në shtypin e saj të cilat e paraqesin shqipërinë aspak si propaganda e financuar nga ai. E vetmja mënyrë për të shpëtuar prej saj, duke mos patur mundësi ta asgjesojë është ta zëvendësojë. Kështu Edi Rama me tinëzari po mundohet ta zevendësojë idenë e Europës me atë të Mini-Shengenit Balkanik. Këtij të fundit i ka kushtuar tërë pasionin e tij. Këtë po bëjnë edhe të tijtë. Europa i ka bezdisur etërit e vazhdon t’i trazojë bijtë.

E njejta sjellje e Kryeministrit edhe sa i përket kauzës së kombit. Shikoni sjelljen e tij me Kosovën. Ai i ka treguar rrugën e duhur, por janë liderat e Kosovës të paditur, gënjeshtarë e megallomanë që nuk e kanë dëgjuar. Ai ka paditur në gjykatë homologun e tij në Kosovë për shpifje dhe nuk ka lënë gjë pa i thënë nga foltorja e shengenit ballkanik me Vuciq në krah. Pasi dështoi në formën më të shëmtuar me eksperimentin për Kosovën, vijimësinë e të cilit po e ndiqte me një kujdes kuratori, ai sulmoi Kosovën, kryeministrin e saj dhe atë pasardhës, si të paaftë të kuptojnë rëndësinë e atyre që ai thotë se ato duhet të bëjnë. Pas këtij dështimi të madh e të rëndë sa vetë pesha e kauzës, ai po përdor të njejtën strategji. Në pamundësi për ta asgjesuar po tenton ta zëvendësojë ceshtjen kombëtare me ceshtjet e rruzullit. Ndërkohë që marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën në raportin e fundit të progresit të Komisionit Europian të javës që shkoi (6 Tetor 2020) trajtohen si të paqendrueshme përgjatë periudhës së raportimit, Kryeministri Rama gjatë kësaj periudhe i është kushtuar konfliktit në Ukrahinë, atij në Bjellurusi, atij Turko – Grek dhe së fundmi Nagorni – Karabah. Punët për kombin ia kanë lënë vendin punëve për rruzullin. Grindjet me Kosovën, përplasjet dhe acarimet me liderët e saj, dhe molepsja me punët e globit e kanë shdërruar në qesharak jo vetëm në sytë e shqiptarëve.

Tentativa e eklipsimit të kauzës së kombit dhe Europës, është një nga eksperimentet më perverse politike të Edi Ramës. Ky eksperiment i ka kushtuar shumë tashmë shqiptarëve. Pasoja më e rëndë janë qindra mijë të rinj që kanë shpopulluar Shqipërinë. Sa më shumë largohet ai nga Europa, aq më shumë të rinj largohen nga Shqipëria për në Europë. Përpjekjet e shqiptarëve për të arritur objektivin strategjik të një kombi të integruar kanë stopuar nën dritën e kuqe të semaforit të 25 Prillit. Bluja e 26-tës do të mundësojë kalimin për në korsinë duhur.