Agim Xhafka rrëfen çfarë i ndodhi në një market, ku një burrë me tre kalamaj pa maska…


Nga Agim Xhafka

Sa po i afrohesha kasës te dyqani shoh para meje një mesoburrë me tre fëmijë kapur për dore. Të katër pa maska. Kishte një bukë e një shishe qumësht nën sqetull. U nxeha e sapo do i thoja shitëses,pse u shërben kur s’kanë maskë,dëgjova dialogun:
-1.800 lekë të vjetra,Jaçe.
-Shënoje te fletorja,-i tha burri.
-Ke dy javë pa shlyer.
Burri s’foli,doli. Fëmijët pas tij si tek ajo gravura me rosën që e ndjekin rikat varg. Pyeta shitësen:
-Sa lekë pa shlyer?
-40 mijë të vjetra. Se vetëm bukë dhe qumësht ble.
Dola jashtë. Pashë që tre fëmijët këpusnin kore nga buka dhe ecnin ngadalë duke ngrënë. Hodha te këmbët e mija një 5 mijëshe të re.
-O zotéri,Jaçe,-i bértita.-Ty të ka rënë kjo pesëmijëshe?
Ai u afrua,e pa dhe nuk foli një çast. Pastaj tha:
-Jo. Nuk kam unë kaq para.
-Epo tani i ke,-i thashë.- Se nuk janë as të mijat. Është fati yt se ti i shkele me këmbë e nuk i pe. T’i gëzosh!- dhe ika me nxit.
Ai mori kartmonedhën e padashur e férkoi. Një çast. Se u kthye me fytyrë nga dyqani e hyri brenda. Pas pak doli i qeshur dhe me një qese karamele. E grisi me dhëmbë ambalazhin dhe ua ndau tre fëmijëve. Atë çast dielli m’u duk më i ndritshëm…