Zbulohet arsenal municioni dhe armësh në Divjakë e Mallakastër, dy të arrestuar

Dy persona janë arrestuar në Divjakë dhe Mallakastër për armëmbajtje pa leje.

Gjatë konrolleve të policisë janë sekuestruar arsenal me armë zjarri, municion luftarak, granatë me ndezës, radio policie, armë të ftohta dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Policia e Mallakastrës , pas marrjes së njoftimit se në lagjen “5 Shkurti” ka pasur të shtëna me armë zjarri, është ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme dhe si rezultat është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. K., 63 vjeç.

Ky shtetas qarkullonte me armë zjarri në lagje dhe qëllonte me armë zjarri duke shkaktuar panik e frikë te banorët. Kur ka parë shërbimet e Policisë, ai ka tentuar të hedhë armën dhe të largohet, por është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit kallashnikov.

Gjatë kontrollit të banesës së 63-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1245 fishekë, tre krëhra, një ndezës mekanik, granatë ofensive, një shkop gome, një thike me teh të gjatë, një dorezë hekuri, një dorezë me sferë hekuri goditëse, barut për armë gjahu, një radio si ato të Policisë dhe 485 kg duhan i grirë, pa dokument blerjeje.

Ndërkohë në fshatin Tërbuf, Divjakë, është arrestuar në flagrancë shtetasin J. Rr., 25 vjeç.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Divjakë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë, 2 krëhra dhe 38 fishekë.