Ja sa përfiton biznesi i vogël nga propozimi i Bashës për heqjen e taksave “Veliaj”

Sipas një përllogaritje, fitimi i çdo biznesi me heqjen e taksave të Bashkisë Tiranë, shkon të paktën deri në 1.8 milionë lekë në vit. Disa muaj pas ardhjes së Veliajt në krye të Bashkisë, aktivitetet tregtare u përballën më dhjetëfishim të taksave mbi pronën apo hapësirat publike.

Propozimi që ka dhënë Partia Demokratike në lidhje me taksën 0.5% të xhiros, e cila shmang të gjitha detyrimet e tjera do ishte një lehtësim për biznesin e vogël, i rënduar tashmë jo pak që kur Erjon Veliaj, mori Bashkinë e Tiranës. Në shkurt të vitit 2016, biznesi i vogël u përball me një dhjetëfishim të taksave vendore vetëm disa muaj pasi Veliaj kishte marrë Bashkinë e Tiranës.

Kështu u dhjetëfishua taksa për hapësirën publike, nga 150 lekë për metër katror që ishte më parë, në 1500 lekë. Po ashtu, rritje të konsiderueshme pati dhe taksa mbi pronën. Bizneset u përballën me fatura dhjetëfish më të larta, taksë e cila rritet çdo vit. Sot Rilindja ka dalë me tezën se biznesi i vogël nuk paguan taksa, dhe premtimi i Bashës për përmbledhjen e taksave në 0.5 % të xhiros vjetore ku aty janë dhe taksat e Bashkisë, është i kotë. Në fakt taksat e bashkisë s’kanë të bëjnë me taksat qendrore siç është tatimi mbi fitimin, i cili kontribuon fare pak në buxhetin e shtetit.

Shembuj

Për shembull, për biznesin bar-kafe që ka 100 metra katror brenda Unazës së Vogël së Tiranës (aq e domosdoshme tashmë në kohë pandemie), paguan 1.5 milionë lekë të vjetra në vit duke e llogaritur me 1500 lekë metrin katror. Përpara 2015-ës paguante vetëm 150 mijë lekë të vjetra pasi ishte tarifë fikse. Një biznes tjetër, në zonën B jashtë Unazës së Vogël paguan 750 mijë lekë të vjetra kundrejt 150 mijë lekëve që paguante deri në vitin 2015. Në zonën C, që është në perfiferi të Tiranës, këto biznese sot për të njëjtën sipërfaqe paguajnë 400 mijë lekë të vjetra në vit, në raport me 150 mijë që paguanin në vitin 2015. Kjo është një taksë që vilet nga Bashkia e Tiranës. Në rast se kjo hiqet duke e futur në faturën e 0.5% të xhiros atëherë do ishte një lehtësim i madh për barrën fiskale të biznesit.

Faturat

Një faturë tjetër që rëndon jo pak mbi bizneset është dhe taksa mbi pronën, e cila është të paktën pesëfishuar me ardhjen e Erjon Veliajt. Është e ndarë sipas zonave, dhe paguhet në 0.15 përqind të vlerës së ndërtesës sipas çmimit të tregut. Kështu, fjala vjen, në zonën e Bllokut apo Tiranës së Re, një biznes me sipërfaqe 100 metra katrorë me një çmim që Bashkia e Tiranës e llogarit deri në 1.9 milionë lekë metri katror duhet të paguajë 7600 lekë të vjetra për metër katror, ose 760 mijë të vjetra në vit.

Sikur kësaj t’i shtojmë dhe taksën e hapësirës publike, kjo shumë shkon në 2.26 milionë lekë të vjetra në vit. Kësaj i shtohen dhe taksat e pastrimit prej 57 mijë lekë në vit, apo taksa e infrastrukturës arsimore prej 35 mijë lekë në vit që paguhen në faturën e ujit. Në rast se ka dhe tabelë reklame mbi 2 metra, ku çmimi është 450 mijë lekë metra katror në vit, atëherë gjithsekush mund ta llogarisë vetë faturën financiare. Kjo llogari mund të bëhet sipas sipërfaqes për çdo biznes.

Kursimi

Por çfarë ndodh nëse të gjitha këto taksa futen në atë 0.5% të xhiros që premton Basha, me biznese nën 140 milionë te vjetra në vit. Në rast se ky biznes që folëm më lart kryen një transaksion prej 10 milionë të vjetra në muaj, ose 12 milionë lekë të vjetra në vit, aq sa ka xhiron mesatare një bar kafe prej 300 mijë lekë të vjetra në ditë. 0.5 përqind e shumës totale nuk shkon më shumë se 600 mijë lekë të vjetra, dhe këtu përfshihen të gjitha, taksa e pronës, taksa e hapësirës publike, ajo e pastrimit apo e infrastrukturës arsimore dhe e tabelës. Kursimi do ishte të paktën 1.8 milionë të vjetra në vit, ose rreth 150 mijë lekë në muaj.

Taksat e bashkisë që aplikohen sot në Bashkinë Tiranë:

Taksa e pronës

Taksa e pastrimit

Taksa e tabelës

Taksa e Arsimit

Taksa e hapësirave publike/Marrë nga gazetamapo.al