Rrëzimi i kështjellës me një telefonatë

Erald Kapri
Spontanisht, gazetari Blendi Fevziu realizoi përballjen e parë televizive mes kreut të qeverisë Rama dhe atij të opozitës Basha, ndonëse virtualisht, por gjithsesi duel faqe njëri-tjetrit. Nga viti 2000, Rama ka refuzuar çdo debat politik, por dje i kapur ngushtë nuk guxoi t’i përvishet Bashës dhe zgjodhi vetëm një batutë për të kaluar sikletin e krijuar.

Mbrëmja e vonë dhe mëngjesi i sotëm mbushi rrjetet sociale me këtë ngjarje, me heshtjen e të majtëve dhe ekzaltimin e të djathtëve. Në fakt, mjaftoi vetëm një telefonatë për të rrëzuar gjithë kështjellën e pushtetit absolut të Ramës dhe “mjeshtrit” të PR-arit, i mbeti vetëm ngërdheshja në fytyrë e gazetarëve që kishte në panel.

Me siguri kjo do jetë dalja e fundit e Ramës para gazetarëve deri në zgjedhje. Ai nuk do i lejojë më vetes të vihet përballë kundërshtarit, por do vijojë në realitetin e tij pararel 3D dhe të rrjeteve sociale. Fundja, kjo është rruga e vetme për të mbijetuar në kushtet kur gjithë struktura e pushtetit të gjithfarshëm nuk i përgjigjet.

Në anën tjetër, Basha po vishet me një tjetër përgjegjësi. Ai e rrëzoi Ramën me një ndërhyrje on-call. Ndaj, beteja e tij politike nuk është më mposhtja e Kryeministrit por mbështetja e gjerë popullore për të rrëzuar gjithçka që ai përfaqëson; tranzicionin e lodhshëm, të korruptuar, shterpë dhe të tejkaluar.

Fushata politike e 25 Prillit duket që do zhvillohet në dy plane të ndryshme. Rama nuk do lëvizë nga konturi i rrjeteve sociale dhe aktiviteteve të kuruara, ndërsa Basha do i lërë vendin njerëzve të zakonshëm të cilët do udhëheqin fushatën e tij. Për Ramën, media do jetë mesazhi, ndërsa për Bashën, mesazhi janë njerëzit.

Kjo mund të vërehet fare mirë në zhvillimet e javëve të fundit. Basha zgjedh përballjet e drejtpërdrejta me gazetarët ndërsa Rama photoshop-et në Facebook. Basha i la në dorë anëtarësisë të zgjedhë me votë direkte përfaqësuesit në Kuvend, ndërsa Rama u la një portal për të votuar, ku fituan ministrat me më shumë të punësuar në administratë. Basha propozon plan 5-pikësh për daljen nga kriza ekonomike, Rama mohon premtimin për një paketë të tretë ndihme.

Kjo nuk është më një luftë për komunikim, pasi Rama e humbi atë. Ai po lufton të shpëtojë ç’të mundet, i kompleksuar si Harpagoni që mbyllte shtëpinë për të dëgjuar tringëllimën e monedhave të florinjta.

Basha ka tejkaluar Ramën madje në pikën e vetë më të fortë; në komunikim. Kjo për arsyen e thjeshtë, se Rama i beson ngjyrave dhe jo shifrave në grafik. Basha i ka besuar njerëzve dhe misionit për të ndryshuar realitetin.

Kurrë më parë në këto 30 vite nuk ka pasur më shumë kuptim beteja mes të resë dhe të vjetrës, mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes të marrit peng dhe çlirimit. Ndaj nuk duhet të pyesim më “ç’po bën Basha”, “ç’po bën opozita” por ç ‘duhet të bëjmë të gjithë për ti dhënë një dorë shpresës së vetme.

.