Rama dhe vjedhja toksike me inceneratorët

Lulzim Basha në vitin 2017 drejtoi gishtin e përgjegjësisë tek Arben Ahmetaj dhe Edi Rama për personat që fshiheshin pas projektit kriminal të inceneratorëve. Në shkurt 2018 opozita kërkoi një interpelancë me ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri, në të cilën deputetja Tabaku provoi se si dosjet e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranën ishin një gropë e madhe korrupsioni.

Në të gjitha rastet, media nuk u bind plotësisht. Vetë Rama kërcente nga karrigia e tij e kryministrit dhe niste fyerjet dhe përbetimet se së pari inceneratorët ishin shpëtim për vendin dhe së dyti vlera e tyre nuk ishte mbi 400 mln euro. Kjo mishelinë deklaratash ishte një retorikë që përpiqej të fshihte të vërtetat njësoj siç sot fshihen plehrat e Tiranës dhe Durësit në tokën e Sharrës.

Vite pas kësaj interpelance që dukshëm nuk kthente asnjë përgjigje për këtë akt korruptiv mediat investigative kanë zbuluar se pas skemës korruptive të inceneratorëve fshihet Mirel Mërtiri. Një personazh kontrovers që akuzohet deri në Afrikën e Jugut se kontrollon kompaninë e maskave dhe që kishte korruptuar edhe aty ministra. Sakaq, misteriozi Mërtiri duket se ka qenë në makinë me Arben Ahmetaj kur ky i fundit u aksidentua rëndë në Maqedoninë e Veriut.

Për të vazhduar vlimin e kësaj ngjarje korruptive, raportet e KLSH evidentonin shkelje të frikshme të buxhetit të shtetit dhe ministrive që ishin marrë me këtë akt. Sipas raporteve të KLSH jo vetëm që kostot ishin të fryra, jo vetëm që ato ishin të stërmëdha në raport me përllogaritjet normale por kishin dhe gabime aritmetikore të qëllimshme për të fryrë shifrën në fund.

Kjo gjellë e gatuar natyrisht në Dhomën e Korrupsionit në qeveri duhet të alarmonte këdo. Por, nuk ndodh aspak kështu. Madje as kur opozita provon me mjete të tjera të provojë se fjala vjen inceneratori i Fierit me kosto 22 mln euro në kontratë dhe që duhet të kishte përfunduar në shtator 2019, ka marrë nga buxheti shtetit 24 mln euro dhe ende nuk ka përfunduar.

Heshtja e organeve hetuese, si SPAK, nuk zhbëhet as kur qeveria qendrore detyron bashkinë e Durrësit që të mbyllë landfieldin e Porto Romanos duke e detyruar të rrisë kostot e transportit të plehrave në 29 euro. Të gjitha këto akte të ndërmarra ndërsa qeveria Rama gjoja menaxhonte situatën e tërmetit në Durrës.

Opozita, vazhdon të denoncojë që deri më tani inceneratorët kanë marrë 75 mln euro për punë që nuk i kanë përfunduar. Raportet e ministrisë së financave flasin për investime të pakryera edhe kur paratë e buxhetit i kanë kaluar një më një kompanisë s ëinceneratorëve.

Ndërsa Rama dhe qeveria e tij shprehin me mospërfillje e deri ofendim injorimin e tyre për këtë situatë kriminale jo vetëm karshi buxhetit por edhe karshi vjedhjes së qartë. Në kushtet e një qeverie minimalisht normale dhe me një farë droje ndaj drejtësisë do kishim reagime politike të mazhorancës. Por jo, Rama dhe Ahmetaj vazhdojnë të trillojnë shifra në televizor ndërsa emrat e tyre bashkangjiten me një vjedhje të frikshme dhe tërësisht toksike.