Silva Bino: Cilët përjashtohen nga detyrimi për mbajtjen e maskave

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila sapo doli nga spitali ku u kurua për COVID-19, deklaroi në një intervistë për Panorama se vendimi i qeverisë për mbajtjen me detyrim të maskës, është në kohën e duhur.

“Mendoj që vendimi vjen në kohën e duhur, pasi sot kemi shumë më tepër fakte dhe të dhëna nga bota, por edhe nga eksperienca jonë që tregojnë për rëndësinë e përdorimit të maskës në mjedise të mbyllura dhe të hapura, në drejtim të parandalimit të përhapjes së COVID-19.”

Pyetje: Të mërkurën pritet të miratohet edhe akti normativ në qeveri se sa do të jetë masa ndëshkimore për ata që do të refuzojnë mbajtjen e maskës dhe a do të ketë të përjashtuar nga ky vendim?

Bino: Natyrisht, fëmijët nën 6 vjeç, persona të cilët kanë prapambetje mendore dhe nuk dinë ta vendosin apo heqin maskën apo persona që kryejnë aktivitet fizik, nuk mund ta mbajnë gjatë aktivitetit fizik, p.sh., vrapit apo kur i japim biçikletës apo gjatë futbollit si dhe të tjera sporte. Po ashtu, kur hamë apo jemi në bar nuk mund të kemi maskë, por midis këtyre veprimeve maska duhet të mbahet.

Pyetje: Doktoreshë, vendosja e maskës me detyrim do të sjellë edhe përdorimin masiv të tyre, duke sjellë nga ana tjetër çmime të larta për shitjen e tyre. Do të ketë rregullator për këtë dhe a do të rimbursohen kategori të caktuara?

Bino: Kemi maskat kirurgjikale, por dhe maskat mbrojtëse prej tekstili, të cilat duhet të kenë dy ose më shumë shtresa që lejojnë frymëmarrjen dhe lahen e hekurosen dhe nuk kanë kosto, por që kanë treguar mbrojtje shumë të mirë.