Indrit Vokshi – Basha-Rama, betejë prioritetesh!

Nga Indrit Vokshi

Prej shtatorit 2013 kur Edi Rama shkeli në zyrën e kryeministrit, Shqipërisë i kanë ndryshuar prioritetet. Duke gjykuar prej sot, nuk paska pasur rëndësi se në çfarë mase ishin realizuar prioritetet deri në 2013, ishin realizuar 40% apo 60%, rëndësi paska pasur që prioritetet mbeteshin në fuqi.

Flitej për punësim, flitej për infrastrukturë, flitej për shkolla, ujësjellës, bujqësinë dhe subvencionet, integrim europian, flitej për rendin e për sigurinë. Debati ishte në rrugën e duhur dhe për temat e duhura.

Edi Rama ndryshoi temat.

Prej vitit 2013, u fol për mbjelljen e drogës sepse droga u kthye në kulturën kryesore bujqësore. U fol për policinë e përfshirë në kultivim dhe trafik, jo për profesionalizimin e policisë. U fol për kandidimin e kriminelëve për parlament dhe bashki, jo për emërimin e studentëve ekselentë në administratë. U fol për vjedhje masive me koncesione, jo për buxhet përfaqësues dhe të gjerë i cili prek dhe ndihmon sa më shumë njerëz dhe kategori njerëzish. U diskutua pas shumë vitesh se a ka të drejtë shteti ta trajtojë qytetarin shqiptar si të dojë kryeministri, ta shpronësojë, ta arrestojë, ta fyejë e në fund të thuhet se kjo është normale, se shtetet kështu veprojnë. U fol se çfarë problemesh ka Bashkimi Europian që sna pranon, Rama analizoi gjendjen e Europës si shoku Enver Lindjen e Mesme por nuk u tha se çfarë problemesh kemi ne si Shqipëri, pse nuk i përmbushim kushtet e integrimit. U fol për largimin masiv të shqiptarëve drejt azilit, jo për lidhjet tregtare e kulturore Shqipëri-BE. U fol për herë të parë për prokurore të emëruar pa bazë kushtetuese (Arta Marku) dhe u fol për mbylljen e gjykatave.

Edi Rama me sundimin e tij, me veprat e tij, shtroi si tema debati koncesionet, azilin, drogën qeveritare, gjobat, arrestimet, shkatërrin e pronës, kriminelët në shtet, ndalimin e integrimit europian, varfërimin e thellë, kapitullimin e gjykatave dhe të shtetit. Kjo ndodhi sepse Rama ishte dhe mbetet përfaqësuesi i njerëzve të cilët kanë ato interesa.

Lideri i opozitës z.Basha është përfaqësuesi i njerëzve të cilët nuk ndajnë të njejtat interesa si njerëzit rreth e rrotull Ramës, as ka kriminelë me vete, as ka interes të mbajë mbyllur gjykatat, as ka interes tu shkatërrojë pronat shqiptarëve, as ka interes të arrestojë njerëzit, as ka interes ta përqëndrojë buxhetin vetëm në pak vetë. Kjo sepse njerëzit rreth tij dhe njerëzit më larg tij por që mbështesin fitoren e Partisë Demokratike, nuk i kërkojë veprime të tilla. Prandaj në emër të njerëzve dhe partisë që përfaqëson, z.Basha është i detyruar të proklamojë të tjera prioritete.

Në Shqipëri duhet të kthehen prioritetet e një vendi normal, (duhen shfuqizuar prioritetet e kartelit të drogës), duhet të kthehen në diskutim temat të cilat janë të rëndësishme dhe janë detyrë e qeverisë dhe e parlamentit.

Siguria dhe rendi publik duke e kthyer policinë në shinat e ligjit, prona e paprekshme nga tritoli e nga INUK-u, rritja e nivelit akademik të mësuesve dhe rritja e kapaciteteve materiale në shkolla, furnizimi me ujë sepse shumë zona të Shqipërisë nuk kanë ujë; spitalet si sektori më problematik, mbi të gjitha liria për punë e biznes, liria që shqiptari të çojë para në familjen e vet. E mbi gjithçka, siguria e njeriut se askush nuk të ndalon, arreston, fyen e shantazhon; siguria se nuk i sheh dyert e komisariatit nëse ske kryer krim, siguria se nuk e dëgjon zërin e policit nëse nuk ke shkelur ligjin.

Nëse ecet me këto prioritete, ndoshta nuk ka rezultat 100% dhe nuk arrihen standartet më të larta globale, mirëpo ska dyshim se jetesa në Shqipëri, ndryshon për mirë. Kreu i PD z.Lulzim Basha, në emër të njerëzve dhe partisë që përfaqëson, synon të ndryshojë prioritetet, po tenton t’i kthejë përsëri në temë debati çështjet të cilat janë vërtet të rëndësishme për një vend, duke rrëzuar kështu temat dhe diskutimet e pavlera që Rama na i ka paraqitur si të rëndësishme.