Dr. Hasan Bello zbardh rrenat e mëdha që shoqërojnë figurën e Esat Pashë Toptanit

Debati për dekoratat mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta riktheu edhe njëherë në skenë Esat Pashë Toptanin, një figurë shumë e anatemuar. Por si qëndron e vërteta, është tradhtar apo hero, çfarë thonë arkivat? Studiuesi dhe historiani Hasan Bello 37-vjeç, ka publikuar një libër, botim voluminoz me 1354 faqe për jetën dhe bëmat, monografinë e Toptanit. Historiani thotë se me Esat Pashë Toptanin fillon për herë të parë historia e Fake News-eve.

Por kush e inicioi dhe përse ndodhi kjo? Historiani Hasan Bello i ftuar në studion e Abc News përballë gazetarit Endri Xhafo u shpreh se ishte Austro-Hungaria ajo që u përpoq që të diskreditonte figurën e Esat Pashës.

“Me Esat Pashë Toptanin fillon për herë të parë historia e Fake News. Austro-Hungaria duke e konsideruar si një person që nuk e kishte në kontroll fillon dhe përhap Fake News lidhur me veprimtarinë politike lidhur me qëndresën dhe dorëzimin e Shkodrës dhe qëndrimin gjatë luftës së parë Botërore në Shqipëri. Austro-Hungarezët i bëjnë presion Esatit të largonte popullsinë dhe konsullatat nga Shkodra, Esati i mbajti “peng” konsujt diplomatët dhe popullin, që të mos bombardohej qyteti nga malazezët. Nuk u bëri gjë, por nuk i la të dilnin. Në luftën e parë botërore Esati u bë me fitimtarët, Antantën” tha ai.

Por çfarë thonë arkivat? “Materiali është bruto, pa interpretim, që ta gjykojë vetë lexuesi. Esati ka një karrierë të gjatë politike. Esat Pashë Toptani është i vetmi personalitet shqiptar që ka marrë pjesë në tre luftëra, turko-greke, Ballkanike dhe luftën e parë botërore. Nuk ka asnjë personalitet tjetër shqiptar që të ketë marrë pjesë në tre luftëra. Nuk është kompleks Esati, por periudha që ka jetuar Esati” tha ai.

Por përse Esat Pasha qëndroi larg pavarësisë? Për historianin kjo nuk është e vërtetë. “Nuk ka qëndruar larg pavarësisë, është pjesëmarrës në janar të 1912 kur u mblodhën dhe u ndanë detyrat, mobilizoi fisin në Shqipërinë e Mesme për kryengritjen e pavarësisë. Ai ishte në mbrojtjen e Shkodrës”.

Historiani tregon se cfarë thonë arkivat për vrasjen e Hasan Riza Pashës, por i jep përgjigje edhe pyetjes se a e shiti Esat Pasha Shkodrën? “Nëse do të kishte shitur duhet ta kishim riblerë, nuk është e vërtetë. Ka vijuar qëndresën deri në 23 prill 1912. Vrasja e Hasan Riza Pashës? Kishte një plan për t’u tërhequr nga Shkodra, por Esati nuk mund të tërhiqej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje dhe ishte detyruar që të vriste Hasan Riza Pashën për të vijuar qëndresën”.

Ndikimin në revoltën e Shqipërisë së Mesme nga Haxhi Qamili, historiani e cilëson si lojë që bëri Esat Pasha. “Është pak enigmatike, ai kupton se princ Vidi nuk e kishte të gjatë në Shqipëri. Nuk qëndroi luajal. Esati anonte nga Italia dhe në maj të 1914 ushtarët holandezë godasin shtëpinë e Esatit, dorëzohet dhe largohet në Itali. Nuk është se ka gisht në kryengritjen e 1914-15 të Haxhi Qamilit, por ka bërë lojën e tij. Gjatë luftës së parë Botërore, Esati krijon një qeveri simbolike në Selanik dhe kishte 1300 forca që luftonin në zonën e Maqedonisë dhe Shqipëri. Në përfundim ishte i vetmi personaliet që meritonte të ulej në konferencën e paqes. Haxhi Qamili ishte me bllokun qendror të Austro-Hungarisë, kundërshtarë të Esatit”.

Për historianin, Esat Pasha u vra politikisht në 26 prill të 1915. “Në 26 prill 1915 u vra politikisht, pasi nënshkruhet traktati i fshehtë i Londrës. Esati nuk e dinte këtë gjë. Është i pari politikan shqiptar që takoi një president të SHBA, Wilsonin në konferencën e paqes. Kur takon Wilson kërkoi protektorat amerikan, “ne jemi për të njëjtat ideale, ne e mirëpresim një protektorat amerikan” i tha ai, dhe kërkoi Shqipërinë e 1913, kufijtë aktualë. Franca dhe Britania nuk kishin interes që SHBA të depërtonte në Ballkan. Esati kërkoi edhe reparacionet e luftës nga Austro-Hungaria, pra u hapën shumë probleme”.

Por përse historiografia shqiptare e ka trajtuar si person negativ Esat Pashë Toptanin dhe përse e vrau Avni Rustemi? “Atë e ka vrarë Italia, ka marr pjesë edhe Franca, por e projektoi Italia. A mendon se një gjykatë franceze të liron pas një vrasje, absolutisht jo! Atë me shumë mundësi, ka shumë hipoteza, e ka vrarë një komisar i policisë franceze, ky e mori përsipër, krijoi alibinë. Dikush tjetër e merr përsipër dikush tjetër e vret. Autopsia thotë se Esati u godit nga mbrapa, ndërsa Avniu ka qenë përpara. Gjykata franceze veproi politikisht dhe e liroi. Avni Rustemi ka qenë student në Itali. Italisë i duhej një shqiptar për të vendosur kopertinën që e vranë shqiptarët. Zogu mund ta ketë dashur. Të gjithë përfitonin nga krimi, Italia dhe Franca dhe Britania për mos futjen e SHBA-së në Ballkan, Italia kishte interes territorial. Është edhe cështja e reparacioneve. Italia spastroi skenën politike shqiptare, vrau anti-italianët”.

Por si qëndron e vërteta e varrit të tij? “Ka një Fake News, që Esati u varros te varrezat serbe. Trupi i tij është balsamosur dhe është mbajtur dy vite që ta sillnin në Shqipëri, pas refuzimit, detyrimisht varroset në periferi të Parisit në 1929. Në ’34 e çojnë te trupat e varrezat të aleatëve, ku ka edhe ushtarë serbë, por çfarë faji ka Esati? Është Fake News se është varrosur te varrezat serbe” tha ai. Për të mësuar të vërtetën, historiani e mbyll intervistën me një këshillë për shqiptarët, “duhet të lexojnë më shumë”.