Bobi Fisher| Gjeniu paranojake e mjeshtrit të Shahut botëror

Nga Lavdrim Lita

Nuk mund të them se jam i pasionuar pas shahut. Përkundrazi kur flitet për shah gjendem 24 karat injorant. Të vetmet njohuri që kam për lëndën më vjen nga edukimi informatik: duke ditur sesi lëvizet në mënyrë korrekte me gurët në skakierë (Kali lëviz në mënyrë L, Torra horizontalisht dhe vertikalisht, kurse ushtari diagonal, etj.) Duke u nisur nga injoranca ime nuk njihja as historinë e Bobi Fisher (Robert James Fischer) i pari, ndoshta i vetmi kampion i shahut amerikan që pas fitores në vitin 1972 në kryeqytetin Reikjavik të Islandës kundër mjeshtrit rus Spaski, dhe për rrjedhojë ndërpreu hegjemoninë sovjetike në këtë sport.
I biri i një gruaje që përpunohej ditë e natë e survejohej mëngjes e darkë nga FBI-ja, Bobi Fisher është përkufizuar si gjeniu i pa-kuptuar. Në fillim u prit si hero i Luftës së ftohtë dhe më pas u etiketua si tradhtar, i çmendur e harbut pas një interviste radiofonike kundra SHBA-ve, direkt pas ngjarjeve të 11 shtatorin e 2001-it ku ai tha se SHBA-të e meritonin rrëzimin e dy kullave. Më parë ai kishte refuzuar në vitin 1975 të luante për mbajtjen e titullit, çka i solli automatikisht humbjen në tavolinë. Atij nuk i interesonte titulli.
Emri i tij qarkullonte si një legjendë metropolitane sikur të ai ishte njeriu qe luante aq mrekullisht në internet sa që dyshimet direkt ranë mbi të. Natyrisht përkufizimet nuk kanë munguar as për të, si për të gjithë ajkat e njerëzisë. E kanë quajtur të pabesueshëm, histrion, i vrazhdë, i shkëlqyer, abuziv, paranojak, i keq, infantil – por në të vërtetë ai ishte një mjeshtër i sakrificës dhe një asketik pa gjasa. Një paradoks i çuditshëm. Blindohesh pas një obsesioni për të refuzuar të tjerët dhe Historinë dhe në fund je në qendër të skenës, nën sytë e të gjithëve. Natyrisht Bobi Fisher u kthye në një mit të gjallë për shumë arsye. Ndërkohë. Në 1972 ai mishëronte ëndrrën politike të një brezi të pjesë të botës, Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë, pastaj kuptoi që ajo ëndërr duhesh zhdukur. I zhgënjyer së tepërmi kur kthehet nga Reikjaviku si kampion i botës pasi mendonte se i takonin nderimet zyrtare që në të vërtetë nuk erdhën kurrë. Ai priste një ftesë zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, që për një djalë të ri të rritur në qytetin e Bruklinit ishte një nder i madh dhe kur kupton se gjithçka ishte një iluzion ai fyhet. Mund të ishte bërë i pasur dhe i famshëm. Mund të krijonte një agjenci reklamash por, refuzoi. Refuzoi edhe pse nuk kishte një projekt për të ardhmen. E kishte pasur deri në kampionatin e 72-shit. Dhe nëse ti ke një projekt dhe e realizon derisa je gjallë pastaj duhet të gjesh diçka tjetër. Pikërisht këtu është momenti që Fisher merr arratinë. Dhe bota e sportit më shumë se çdo gjë tjetër është mbushur plot me njerëz që arrijnë majat dhe pastaj nuk dinë çfarë të bëjnë,
Sidoqoftë gjëja tjetër interesante është se ai kishte një qartësi absolute për politikën, edhe pse shpesh thoshte çmendurira. Parabola e tij natyrisht ka një koherencë. Pika themelore është se Fisher iu gozhdua imazhi i një njeriu egocentrik dhe paranojak: ai ishte me siguri egocentrik, por sa për paranojak le të shohim pak disa gjëra. Pavarësisht thënies, që ka gjasa të jetë e vërtetë, të Delmore Schwartz se “edhe paranojakët kanë armiq të vërtetë”, qëndron fakti se ky njeri, që kur ishte një fëmijë, ishte i survejuar nga FBI-ja. Kur në 2002 u de-klasifikuan dosjet e FBI-së dolën në dritë e gjithë historia e familjes së tij dhe babait të tij të vërtetë. Bile ai vetë zbuloi, në moshë të thyer dhe në mërgim që e ëma ishte nën vëzhgim përpara se ai të lindte.
Pra, të gjitha gjërat për të cilat ai kishte dyshuar gjithmonë dolën të ishin të vërteta, bile të konfirmuar me dokumente. Afërmendsh nga raporti i veçantë më të ëmën diçka mund të ketë filtruar. Nëna e tij, Regina, është një tjetër personazh që përfshin historinë e shekullit të XX-të. Që kur ikën nga qyteti i Bruklin-it në fillim e viteve 60 duke e lënë fëmijën ajo fillon udhëtimet nëpër botë, është veprimtare kundër Luftës së Vietnamit, është infermiere vullnetare në Managua të Revolucionit Sandinist dhe në fund kthehet në Shtetet e Bashkuara Bashkuara të Amerikës, ku vdes nga kanceri.
Gjithmonë portreti i Fisher ka mbetur një personalitet kompleks që largohet nga bota dhe nga çka të therët e detyrojnë të jetë. Personalisht duke lexuar librat mbi Bobi Fisher ajo që kuptova është ndërtimi i një pavarësie dhe autonomie pavarësisht presionit dhe që historia dhe jeta personale ushtron mbi të. Në një moment të jetës së tij Fisher kupton se është bërë në njeri që ai nuk donte të ishte. Shahu për të ishte bota tjetër, një botë paralele, një strofull ku ai arratisej nga historia dhe politika. Rebelimi i tij është radikal. E vetmja mënyrë për një rebelim radikal, në kohën dhe në shoqërinë tonë ku ëndrrat politike revolucionare janë futur në sirtar – është të dalësh jashtëm, të bësh ESC nga sistemi, të bëhesh një intelektual separatist.
Zakonisht kur flitet për Bobi Fisher mendohet se ai është emblemë asaj historie që mbaron në Reikjavik, pra brenda Luftës së Ftohtë. Është e vërtetë se Shahu, ashtu siç është lufta për dominimin e Hapësirës kanë qenë një nga fushat jo ushtarake të konkurrencës SHBA dhe Bashkimit Sovjetik. Por ta mbyllësh aty është minimizuese pse është e pamundur ta kuptojmë ngjarjet historike si të ndërprera. Ka një zhvillim, një vazhdimësi mes Luftës së Ftohtë dhe asaj që Pas dhe ndofta zgjidhja është pikërisht karriera e Fisher që nuk fillon me fitimin e kampionatin e Shahut të ’72 kundër Spaski.
Bobi Fisher ka ndryshuar imazhin e shahisti që i ngjante një matematikani logjik. Ai kuptoi përpara të tjerëve se shahu po shuhej, si një aventurë e bukur e mendjes njerëzore. Kur shikonte kolegët që luajnë me kompjuterët mendonte se ata ishin çmendur. Për të shahu ishte një lojë intelektuale, dhe jo një lojë teknike. Atij i pëlqente shpesh të thoshte se shahu është si një lojë basketbolli dhe iu ngjan një k.o në ringun e boksit. Për të ishte thjeshtë agonizëm.