A mund të kurohet një i plagosur pa i hequr më parë plumbin?


Nga Ledian Droboniku

A nuk do ishte më thjesht po ti hidhje ca antibiotikë sipër e të mbyllje plagën?

Fatkeqësisht ky mendim naiv përshkon edhe shumicën e intelektualëve shqiptarë. Propozojnë reforma duke pritur që ti realizojnë ata, që nuk duan realizimin e tyre. Ata që fitojnë miliarda nga vazhdimi i këtij sistemi, pavarsisht se vendi po rrokulliset në humnerë.

Ajo që nuk duan të kuptojnë është konflikti i interesave të një oligarkie ndaj interesave të popullit shqiptar.
Çdo reformë politiko-konomike që synon zgjidhjen e këtij konflikti në favor të popullit, do kundërshtohet hapur apo fshehur nga kjo oligarki.

Kalimi nga ekonomi importi në ekonomi prodhimi/punësimi, fuqizim i sipërmarrësve prodhues, ndihma ndaj bujkut shqiptar, kombëtarizimi i pasurive si nafta, minierat, shërbimet publike etj DO TË THOTË fundi i monopolistëve të importit që sigurojnë miliarda duke mbytur tregun shqiptar me mallra skadentë.

Realizimi i atyre reformave politike që lejojnë kalimin nga partitokraci në demokraci, kufiri i 2 mandateve, listat e hapura, fuqizim i parlamentarizmit, referendume pezulluese, shfuqizuese, propozitivë, recall, juria qytetare, etj DO TË THOTË fundi i oligarkisë deri sa pushtetarët emërojnë e shantazhojnë njëri-tjetrin, në një lojë që nuk mbaron kurrë.

Kur oligarkia kontrollon gjithë sistemin (eko-pol-median-akademinë-ojf) ajo bllokon dhe valvulat e ndryshimit të sistemit.
Ja pse intelektualët (e vërtetë) duhet të heqin dorë nga iluzioni i arnimit të sistemit, nëse iu dhimbset ende ky vend, e ardhmja e tyre dhe fëmijëve të tyre.

Piramidat rrëzohen nuk arnohen.
Mos lëm të na bien mbi kokë, por mendojmë me mendje e veprojmë me zemër! Shqipëria është e popullit shqiptar e askujt tjetër!