Emri i killerit që kërkohet për 5 vrasje vitin e fundit

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka dhënë masën “arrest me burg” për shtetasin Nuredin Dumani, 37 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ekzekutuar Bujar Çelën më 17 shtator të këtij viti.

Emri i Nuredin Dumanit nuk është i panjohur për policinë, pasi ai është shpallur në kërkim edhe për vrasjen e dy vëllezërve nga Puka, Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 prill të këtij viti si dhe dy personave të tjerë në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 mars 2020, në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.

Dumani konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërkohë që është ekzekutori i parë, nga tre personat e përfshirë në atenatin ndaj Bujar Çelës në afërsi Bradadeshit të Elbasanit.

Për Dumanin është shkruar në media gjatë një operacioni policor në Durrës, ku u arrestua së bashku me një taksist, pasi një vajzë adoleshente kishte kallëzuar në policinë e Bordosë në Francë, se ishte shfrytëzuar për prostitucion. Por pavarësisht se policia nxitoi të arrestonte Nuredin Dumanin, gjatë hetimeve nuk u provuan akuzat dhe për pasojë Nuredin Dumani shumë shpejt doli nga burgu.

Por tashmë ai është shpallur në kërkim nga prokuroria e Elbasanit, dhe Durrësit pasi akuzohet se rezulton i implikuar në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktima, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020, dhe në vrasjen e Bujar Çelës në Elbasan.

Për këtë ngjarje në kërkim është dhe Talo Çela, vëllai i Bujar Çelës, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla. Ky i fundit në cilësinëe bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës. Alla, veç tregimit të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit.

Sipas rrëfimit të Klevis Allës, ditën e ngjarjes së vrasjes së dy vëllezërve Haxhia, ai ka qenë shofer të një automjeti “Toyota” të vjedhur. Ndërsa Altin Ndoci, ka qenë me armë kallashnikov në sediljen e parë të makinës.

Ndërsa në sediljen e pasme kanë qenë të pajisur me dy kallashnikovë, Nuredin Dumani dhe Talo Çela. Gjithmonë sipas Klevis Allës, ata kanë mbajtur në mbikëqyrje dy vëllezërit dhe sapo objektivi i tyre është larguar nga prona e tyre “Echange” në Durrës, ata i kanë ndjekur nga pas dhe i kanë qëlluar.

Dy personat që i kanë qëlluar ishin Nuredin Dumani dhe Talo Çela, ndërsa sipas bashkëpunëtorit Altin Ndoci, nuk ka hapur zjarr. Në rrëfimin e tij, Klevis Alla, tregon se shkak i motivit të vrasjes beson se është bërë një shumë parash, që Talo Çela e kishte vjedhur në grabitjen në Rinas. Kjo sasi lekësh e papërcaktuar nga dëshmitari Alla, ishte lënë për ruajtje nga Talo Çela në servisin e dy vëllezërve Haxhia, por më pas sasia e lekëve ishte zhdukur.