Tabaku: Taksa progresive është e pandershme. Është një barrierë që takson profesionin



Jorida Tabaku

Ka një arsye përse mjekët, infermierët, inxhinierët, specialistët e programimit, ekspertët dhe bankierët mbajnë mbi supe peshën më të madhe të taksave në vend; Taksa Progresive. Kjo është forma më e pandershme e cila takson dijen, eksperiencën, njohurinë dhe kontributin arsimor që ju keni bërë për veten tuaj. Siç e shihni fasha nga 40 mijë lekë deri në 80 mijë lekë paguan 51% të vlerës totale të TAP në vend.

Taksa progresive nuk i jep më shumë para në xhep atij që ka investuar jetën e tij për të përmisuar njohuritë dhe dijet në punën që bën. Taksa progresive nuk është incentivuesja e punës, zanatit me të ardhura të larta. Ajo është një barrierë që takson dijen, mundin dhe përpjekjen e gjithsecilit për të rritur të ardhurat duke investuar në shkollim dhe punësim.

Prandaj ne po luftojmë për një taksë të sheshtë; që nuk do të jetë barriera e guximit tuaj për të investuar në dije, shkencë, sipërmarrje. Prandaj po ofrojmë taksën e sheshtë 9% për rrogën që pagat tuaja mos të taksohen 13% apo 23% siç sot qeveria e specialistëve të PPP ju takson. Ne besojmë tek aftësitë dhe zotësitë e individit, ne besojmë se mundësitë duhen shfrytëzuar dhe se gjithsekush duhet të gëzojë frytet e punës së tij.

Ditë më të mira do të vijnë për të gjithë. Për mjekët, inxhinierët, infermierët, ekonomistët dhe inxhinierët e programimit. Ne do ta rikthejmë Shqipërinë në punë duke hequr barrën e pandershme të taksës progresive për t’ju ofruar taksën e sheshtë të barazisë. Secili të gëzojë frytin e punës së tij pa u taksuar padrejtësisht!