“Muzika u ndalua se përhap virusin”, plas gallata në rrjet me deklaratën e Klosit

Deklaratave të personave politikë, të cilave u mungon një sens minimalist logjikë, u është shtuar dhe një ‘perlë’ e thënë ditën e sotme prej ministrit të Turizmit Blendi Klosi. Në një prononcim për media ministri socialist u shpreh se muzika ndalohet në ambientet e bareve dhe klubeve pasi valët e saj janë përçuese të virusit Covid-19.


Një frazë e cila jo vetëm që nuk ka asnjë bazë shkencore por tingëllon plotësisht naive, aq më tepër kur thuhet nga dikush që është në krye të një institucioni në rang ministral. I menjëhershme ka qenë reagimi në rrjet, ku kanë plásur memet ironizuese ndaj ministrit. “Përveçse koronavirusit muzika të lë dhe shtatëzanë”, është ironia e përdorur në njërën prej tyre e cila ka pasur një komentim të shumtë nga ana e ndjekësve.

“Nuk duhet t’ia bëni pyetjen ministrit të turizmit, se për politikat e turizmit do ishte shumë mirë që të ishin të hapura, por kjo pyetje duhet bërë ekspertëve, që gjykojnë se zonat me muzikë dhe kjo është e vërtetuar janë zonat ku virusi hapet më shumë se në çdo vend tjetër pasi valët e muzikës janë ato që përçojnë virusin, në distancat që jemi ne të dy mund të mos ketë përçim, në distancat ku ka valë muzike përhapja e virusit është më e madhe. Dhe në ambientet me muzikë sidomos ku përdoret pika alkoolike, njerëzit duke qenë më pranë njëri tjetrit, lëshohen më shumë”.- deklaroi Klosi ditën e djeshme.