Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë. Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani. Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940. Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro. Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”. Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950.