Listat, lakmusi i dallimit thelbësor ndërmjet Bashës dhe Ramës

VEHAP KOLA

Debati mbi listat e shpër faqi edhe një herë dallimin themelor ndërmjet vizionit të Lulzim Bashës dhe vizionit të Edi Ramës mbi demokracinë. Ndonëse e ka shprehur publikisht preferencën e tij për një sistem elektoral maxhoritar, Lulzim Basha duket se i beson parimit të sovranitetit të publikut mbi përfaqësuesit e zgjedhur.

Kështu, ai ka nisur dhe po përmbyll një proces të pashembullt të zgjedhjes së kandidaturave për deputetë dhe kryebashkiakë të Partisë Demokratike me përfshirjen e të gjithë anëtarësisë. Një delegim i tillë tek anëtarësia i së drejtës për të propozuar dhe votuar kandidaturat që do të përfaqësojnë PD-në në garat e ardhshme qendrore dhe lokale nuk është provuar më parë në asnjë parti politike shqiptare gjatë 30 viteve pluralizëm.

Si për të provuar se delegimi është një filozofi e tij dhe jo një taktikë e zgjedhur për të kapërcyer një siklet brendapartiak, Basha ka përqafuar alternativën e listave 100% të hapura për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021. Kjo do të thotë se ai dhe Partia Demokratike që ai drejton kanë vullnetin të përfaqësohen në Parlament nga njerëzit më të votuar dhe më të mbështetur nga elektorati në tërësi.

Ndërkohë, procedura e rreptë e përzgjedhjes dhe vetingut të kandidatëve brenda strukturave partiake garanton se në garë nuk do të futet asnjë element me lidhje sado të dobëta dhe të largëta me paligjshmërinë. Rezultati i natyrshëm i një procesi të tillë emancipues nga baza e PD-së, tek elektorati i gjerë dhe deri te Parlamenti do të ishte një grup parlamentar elitë, përfaqësues dhe i përgjegjshëm.

Qeverisja e Partisë Demokratike nesër do të jetë, kësisoj, nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e një grupi parlamentar që përfaqëson interesin publik dhe që nuk u nënshtrohet presioneve të mundshme që mund të vijnë nga pushteti.

Më shumë se përgjegjshmërinë e përfaqësuesve të saj, e cila garantohet maksimalisht nga vetë procesi i seleksionimit të kandidaturave brenda strukturave, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha duket se janë të interesuar që këtë projekt emancipues t’ia imponojnë gjithë klasës politike. Nëse kombinohet ligji për dekriminalizimin me listat e hapura si mënyrë e konkurrimit në zgjedhjet e ardhshme, edhe përfaqësimi i partive të tjera do të përmirësohej, me shumë mundësi.

Megjithatë, prova më e fortë e efekteve të pritshme emancipuese të propozimit të Lulzim Bashës për lista 100% të hapura është vetë rezistenca e Edi Ramës. Trajektorja e tij hileqare nga një pranim i sforcuar i një gjysmëhapjeje tek akuzat ndaj opozitës si penguese të listave të hapura e deri te mbrojtësi i frikësuar i listave të mbyllura, na shpallin në mënyrën më të kthjellët vizionin e tij të vërtetë mbi demokracinë.

Përveçse vizionin për demokracinë si një teatër ku njerëzit janë thjesht kukulla dhe ai kontrollon fijet e vërteta të vendimmarrjes dhe zgjedhjes, dredhimi i Edi Ramës nga gjysmëpranimi i listave të hapura zbulon frikën e tij nga llogaridhënia brenda Partisë Socialiste. Përfytyroni një Grup Parlamentar Socialist të dalë nga gara e brendshme për renditje, ku njerëzit që kanë marrë më shumë vota dhe janë bërë deputetë, nuk janë (sepse nuk mund të jenë) enturazhi i tij i djemve dhe vajzave të heshtur e pa kurajë, por disa zëra kritikë nga radhët e socialistëve.

Edi Ramës i nevojiten këto zëra kritikë vetëm për të fituar votat e socialistëve të pakënaqur. Me votat e mbledhura prej tyre ai kërkon të krijojë një grup parlamentar, që nuk e votojnë as socialistët. Pra, shkurt e shqip, një grup parlamentar si ky që ka sot.

Prandaj, Rama është gati të kandidojë edhe kritikët e tij, sepse e di që pa motivuar dhe mobilizuar zgjedhësit tradicionalë të Partisë Socialiste, ai s’ka asnjë shans të hyjë në garën për Kryeministër më 25 prill 2021. Por me mbylljen e kutive të votimit në orën 19:00 të datës 25 prill, mbyllen edhe listat e Ramës.

Deputetët e dalë nga ato lista nuk duhet të vrasin mendjen për elektoratin që përfaqësojnë, sepse ata nuk kanë marrë votën e tyre. Votën e tyre e kanë marrë njerëz të tjerë që nuk do të jenë në Parlament. Kjo dredhi nuk është gjë e re në regjimin e Edi Ramës. Në fakt, ai kështu ka marrë votat dhe kështu ka qeverisur këto 7 vite në qeveri dhe 11 vite në Bashkinë e Tiranës. Me të tjera premtime, me të tjerë njerëz ka bërë fushatë, ndërsa me të tjera punë dhe me të tjerë njerëz ka qeverisur e ndarë përfitimet korruptive nga pushteti. Këtë herë, ai është i detyruar që të njëjtën dredhi ta zbatojë brenda partisë së tij edhe ndaj elektoratit tradicional të asaj partie.

Dallimi ndërmjet Lulzim Bashës dhe Edi Ramës nesër në qeveri është i parathënë pikërisht në këtë dallim thelbësor në filozofitë politike përkatëse. Me modelin e zgjedhjes së kandidaturave dhe propozimin për lista të hapura 100%, Lulzim Basha është duke dhënë garancitë maksimale për aftësinë e qytetarëve për ta kontrolluar nesër në qeveri.

Me refuzimin dhe makinacionet ligjore dhe propagandistike që po përpiqet t’u shesë shqiptarëve, Edi Rama është duke përgatitur një skenar të përjashtimit të plotë të qytetarëve nga qeverisja. Kjo kundërvënie e plotë e dy vizioneve të rivalëve për qeverisjen e nesërme thërrmon edhe një herë tezën e propagandës së regjimit se të gjithë janë njësoj. Lulzim Basha dhe Edi Rama nuk janë vetëm diametralisht të kundërt, por edhe më larg se kurrë nga njëri-tjetri. Dhe për këtë, meritën kryesore e ka Rama që ka mbetur ai që ka qenë: me të njëjtat dobësi, me të njëjtat frikëra.