“Pse taksat e larta nuk i paguajnë të pasurit, por qytetarët! Angazhimi i Bashës për taksën 9%, kujt i vjen në favor”

Nga Ervis Iljazaj
Me të gjitha gjasat, e vetmja çështje përmbajtjesorë që do të diskutohet në zgjedhjet e ardhshme, dhe do të përdoret fortë nga palët politike, është ajo e taksave. Të gjitha të tjerat do të jenë retorikë politike ashtu sikurse ndodh çdo zgjedhje. Palët do të vijojnë akuzat për korrupsion dhe imoralitet, gjë e cila nuk përbën më lajm për opinionin publik shqiptar.

E vetmja gjë reale dhe e prekshme do të jetë pikërisht ndasia për taksat midis mazhorancës dhe qeverisë, ku opozita propozon taksën e sheshtë 9%, ndërsa mazhoranca do të vazhdoje me idenë e taksës progresivë, apo siç e quan ajo ndryshe: kush fiton më shumë do të paguajë më shumë.

Edhe java që lamë pas u mbyll me këtë debat. Kur kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi publikisht se taksa e sheshtë përbënte një angazhim për të dhe jo thjesht një premtim, nuk munguan kritikat. Madje, kishte nga ata që e quajtën këtë një shkelje syri për oligarkët apo për të pasurit.

Por, të gjithë ata që mendojnë se taksa e sheshtë është në favor të oligarkëve apo të pasurve, ende nuk e kanë kuptuar se të pasurit apo sipërmarrjet e mëdha nuk paguajnë taksa, ato ja ngarkojnë të gjitha qytetarëve. Nëse rritet tvsh, do të rritet çmimi i produkteve. Nëse rriten taksat e punës, do të ulen rrogat, nëse rritet taksa e ndërtimit rriten çmimet e shtëpisë, e kështu me radhë. Çdo rritje taksash është në kurriz të qytetarëve dhe jo të sipërmarrjeve apo të pasurve që i zotërojnë ato.

Prandaj zakonisht, kur flitet për barrën fiskale, kuptohet presioni fiskal që rëndon në të gjithë shoqërinë në tërësinë e saj. Është absurde të mendosh se taksat e ulëta janë në favor të oligarkisë, dhe taksat e larta dëmtojnë këtë kategori dhe ndihmojnë më të varfërit.

Në të vërtetë taksat e larta krijojnë monopole dhe oligarki, pasi rritet arbitrariteti i shtetit. Sa më shumë pushtet kanë politikanët, aq më shumë krijohen klientelizma. Ndërsa taksat e ulta për sipërmarrjen krijojnë mundësi dhe konkurrence për të gjithë. Prandaj, gjuha populiste që përdoret me taksat, nuk është asgjë tjetër veçse një propagandë e pastër. Asnjë sipërmarrje në botë nuk sakrifikon nga fitimi i saj kur i rriten taksat. Çdo rritje taksash shkon në dëm të qytetarëve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Aq më tepër në një shtet si Shqipëria, ku administrata që do të menaxhojë këto para nuk ka besimin dhe aftësinë për ta kryer këtë funksion siç duhet, dhe rritjen e taksave ta kthejë në shërbime për qytetarët. Administrata shqiptare nuk është ajo e Danimarkës apo Zvicrës. Prandaj, sa më pak para në duart e pushtetarëve në Shqipëri, aq më pak pushtet për ta, dhe aq më i vogël rreziku për të abuzuar me paratë tona.

Debati se kush i paguan taksat në Shqipëri, të pasurit apo të varfërit, sipërmarrja apo punëtorët, është një debat i shekullit të kaluar. Kjo është një gjuhë pothuajse prej lufte klasash. Sot sipërmarrja dhe punëtorët nuk janë aspak në dy krahë të kundërta, por janë në të njëjtën anë. Janë të njëjtën anë pasi kanë të njëjtat probleme. Problemet e një biznesi janë dhe problemet e punëtorëve që punojnë për të. Prandaj, zgjidhja e problemeve të ekonomisë shqiptare duhet të dalë nga kjo retorikë populiste, dhe të fokusohet me të vërtetë te zhvillimi i saj. Sidomos në një moment të tillë, kur biznesi shqiptar gjendet në vështirësi të mëdha. Dhe kur sipërmarrja është keq, të gjithë shqiptarët janë keq.

Biznesi është e vetmja mundësi punësimi në një shoqëri demokratikë. Çdo alternativë tjetër është vetëm një mashtrim për të rritur pushtetin e politikanëve, që për shumë arsye janë oligarkët e vërtetë në Shqipëri, këtu e 30 vite. /Gazeta Liberale