Indrit Vokshi – Pse taksa 9% shkaktoi debat?

Nga Indrit Vokshi

Kryetari i Patisë Demokratike z.Lulzim Basha shpalli se qeveria e drejtuar nga PD me Bashën kryeministër do të vendosë taksë të shteshtë 9% duke shfuqizuar taksën progresive të kryeministrit Edi Rama, taksë e cila shkon në 23%.

Fill pas lançimit të këtij objektivi qeverisës, nisi edhe propaganda me skenar qeveritar ramist si dhe propaganda e lirë (prej mosnjohjes) me qëllim për të delegjitimuar taksën 9%. Shumë njerëz mund të jenë habitur dhe kanë pyetur veten dhe të tjerët: “Pse ky debat, pse po i kushtohet rëndësi këtij objektivi të demokratëve”?

Ka pasur reagime nga hierarkë qeveritarë të cilët kanë deklaruar se taksa 9% nuk duhet aplikuar sepse shtetit i bien të ardhurat dhe shteti duhet të ketë para në dispozicion – pa guxuar të na shpjegojnë se si po i përdor qeveria paratë, ku po i shpërndan! Ka pasur reagime edhe nga persona të tjerë të cilët kanë zhvilluar mendimin se taksa e sheshtë 9% nuk është zgjidhja për problemet e Shqipërisë. E çuditshme të pretendohet se problemet e Shqipërisë zgjidhen me një taksë mbi të ardhurat, askush nuk ka pretentuar se kjo taksë do t’i zgjidhë përfundimisht problemet e Shqipërisë.

Pse pra, taksa 9% shkaktoi debat?

Shkaktoi debat sepse së pari ajo e detyron kryeministrin Rama të kthehet dhe të diskutojë për politikë të mirëfilt. Një kryeministër i cili ka ndërtuar vetëm propagandë dhe ndjek prioritete të cilat nuk kanë lidhje me politikën dhe me detyrat kushtetuese të kryeministrit, del zbuluar dhe kryqëzohet para shqiptarëve nëse e detyrohet të debatojë për detyrat e kryeministrit dhe për financat. Ndaj Edi Rama përpiqet ta banalizojë debatin në diskutime të tipit “Më të mirë se unë nuk ka.. opozita ka humbur rrugën” dhe të tjera fraza bajate.

Nga ana tjetër premtimi për taksim 9% ka prekur mijëra profesionistë dhe njerëz që paguhen mirë por u duhet t’i paguajnë 23% të pagës së tyre, qeverisë. Këta njerëz, pasi i paguajnë qeverisë gati 1/3 e pagës së tyre, shikojnë se si qeveritarët shpenzojnë shumë për luks, për udhëtime, për dieta, japin tendera për miq e shokë dhe, mendojnë: “Me paratë e punës time, kënaqen qeveritarët..! Më mirë t’i kem në xhepin tim dhe me paratë e punës time të kënaqem unë”. Dhe kjo është e drejtë, nuk mund të kënaqesh me mundin e tjetrit.

Përballë këtij realiteti të krijuar ku mijëra njerëz të shkolluar e të mirëpaguar pranojnë taksën e opozitës, kryeministrit i kërcënohet pushteti, prandaj angazhohet fort për ta delegjitimuar dhe për të thënë se taksa 9% nuk është pozitive. Kryeministri nuk dëshiron që njerëzit të pyesin “Ku po shkojnë paratë tona”, prandaj ky debat i duket kërcënues për pozitat e tij gjithsesi të lëkundura fort.

Vetë Edi rama është në kurth publik ngaqë nuk mundet ta ulë taksën nga 23% në 9% sepse kjo dmth t’i heqë miliona euro arkës qeveritare dhe, ato miliona i duhen për tua shpërndarë militantëve me vende pune, tenderistëve me tendera, koncesionarëve me koncesione.

Taksa 9%, hap gjithashtu një diskutim financiar: çfarë buxheti hartohet, si shpërndahen paratë? Dhe këtij debati kryeministri Rama i frikësohet shumë. Nëse do analizohen buxhetet e tij do të dallohet se ai nuk ka hartuar buxhete publike përmes të cilave paratë ndahen për shkolla, qendra shëndetësore, rrugë, ujësjellës dhe vepra e veprime të cilat civilizojnë Shqipërinë dhe rrisin standartin e jetesës.

Në Shqipëri, me kryeministrimin e Ramës, nuk ka ndodhur asgjë madhore dhe në shërbim të civilizimit. Buxhetet e hartuara nga ai kanë qenë dhe janë buxhete private: ai përmes instrumenteve shtetnore si buxheti, thesari i shtetit dhe firma e kryeministrit u shpërndan paratë e shqiptarëve tek njerëzit e tij të afërt. Ndaj nuk ka investime publike, ka vetëm investime private sepse përfituesit e parave të shqiptarëve kanë ndërtuar hotele për vete.

Si përfundim, taksa e sheshtë 9% nuk është taksa e cila e vetme mundet ta shpëtojë përfundimisht Shqipërinë, ajo është lehtësi financiare shumë pozitive e cila u lë shqiptarëve më shumë para në xhep – kjo taksë është një akt në kuadër të ristrukturimit të financave të Shqipërisë, ristrukturim i premtuar nga opozita.

Mirëpo diçka është e sigurt, taksa e sheshtë na fton në politikë, na fton të diskutojmë mbi pronësinë e parasë së buxhetit, kujt i takon paraja, shtetit apo qytetarëve që e fitojnë? Na fton gjithashtu të debatojmë mbi legjitimitetin e taksave, çfarë e dallon taksën nga gjoba, kur taksa është e pranueshme dhe kur quhet e papranueshme? Dhe në ketë debat Edi Rama nuk ka vend sepse taksat e tij kanë qenë gjoba dhe të papranueshme, prandaj mundohet me të gjtiha forcat të mos e lejojë zhvillimin e këtij debati.