z.Ahmeti me “kalamaj” nuk mbahet pushteti, gabimi i Grubit do të kushton shumë!


Editorial, Maqedoni

Autor, Bexhet Musliju,
drejtor i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal

Ideja për të motivuar edhe kompanitë private që të punësojnë më shumë shqiptarë u kthyer bumerang. Edhe pse ideja ishte e qëlluar dhe me vend, politikanët duke dashur të fitojnë pikë politike e dëgjon një iniciativë të kamotshme dhe e revoltuan opinionin. Në publik u krijua përshtypja se shqiptarët janë të pa aftë dhe të pashkolluar, prandaj me presione politike kërkojnë të punësojnë njerëz të tyre nëpër kompanitë private.

Privatizimi ua vodhi shqiptarëve hisen e tyre

Procesi i privatizimit në Maqedoninë e Veriut kishte filluar që në vitin 1989, që në kohën kur Maqedonia e atëhershme ende ishte republikë në kuadër të Federatës Jugosllave, me sjelljen e Ligjit për kapitalin shoqëror dhe të Ligjit për të ardhurat personale.

Koncepti fillestar i privatizimit në të gjitha njësitë federale të ish Jugosllavisë, në bazë të këtyre ligjeve ishte ndarja e aksioneve të brendshme në ndërmarrje, me çka të punësuarve u mundësohej të bëhen pronarë të ndërmarrjeve shoqërore ku ata punonin.

Pas pavarësimit të Maqedonisë, në vitin 1991, dy vjet më vonë, më 1993 u soll Ligji për transformimin e ndërmarrjeve me kapital shoqëror, i cili solli një formë ndryshe të privatizimit, sipas modelit të ekonomisë së tregut, me të cilin ky proces u intensifikua dukshëm.

Më vonë, në vitin 1995, u soll Ligji për ristrukturimin e një pjese të ndërmarrjeve të cilat në punën e tyre kishin treguar humbje, kurse një vit më vonë, më 1996 u soll edhe Ligji për transformimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe kooperativave që posedonin toka bujqësore. Po në këtë vit u soll edhe Ligji për privatizimin e kapitalit të bashkuar të ndërmarrjeve, me dispozitat e të cilit parashihej ulje e madhe e çmimeve për shitjen e kapitalit shtetëror, me mundësi të pagesës në valutën vendëse (denar) dhe me një zbritje prej 60% të vlerës reale.

I tërë procesi i privatizimit në Maqedoni përfundoi diku nga fundi i vitit 2003, kur edhe u shitën aksionet në 1.700 ndërmarrje, me çka shteti përfitoi mbi 2 miliardë e 300 milionë euro.

Në procesin e privatizimit në Maqedoni u përfshinë mbi 95 % të ndërmarrjeve me kapital shoqëror. Vlera reale e këtij kapitali shoqëror të privatizuar në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, nga ekspertët është vlerësuar se kap shumën e përgjithshme prej mbi 6 miliardë dollarë.

Sipas disa të dhënave, shteti në këtë proces mezi arriti të grumbullojë 20% nga vlera e përgjithshme e ndërmarrjeve shoqërore të shituara përmes procesit të privatizimit, ndërsa 80 për qind të parave të tjera u vjedhin dhe u manipuluan nga oligarkët e asaj kohe, që edhe sot i mbajnë në duar dhe nën menaxhimin e tyre të gjitha kompnaitë më të mëdha private në vend.

Rinia shqiptare ka vlera dhe cilësi shumë të larta

Me procesin e privatizimit, strukturat elite maqedonase me manipulimet e tyre së bashku me qeverinë, arritën t’ua marrin shqiptarëve të gjithë kapitalin që e kishin. Punëtorët shqiptarë që kishin aksionet e tyre në kompanitë e mëdha, u detyruan t’i shesin diku nga presioni, dikund nga padituria se çfarë kapitali posedojnë, e në të shumtën e rasteve nga falimentimi i qëllimshëm që e bënin drejtorët maqedonas, e më vonë t’i blejnë këto kompani me shumë pak para.

Prandaj, edhe sot e kësaj ditë, 30 vite pas pavarësimit, nëpër kompanitë më elitare, bankat, kompanitë e celularëve, kompanitë e sigurimeve etj., kryesisht të punësuar janë elita maqedonase të cilat marrin paga të majme, ndërsa shqiptarët kryesisht punojnë si punëtor krahu nëpër kompani që pastrojnë rrugët, pastrojnë parqet, kositin barin dhe nëpër kopani të të ndërtimtarisë, ku bëjnë punë të vështira.

Është fakt se para 20 viteve shqiptarët nuk ishin kuadro të mjaftueshëm, sepse ata pengoheshin të mësojnë në gjuhën amtare, iu mohua universiteti shqip në Tetovë, ndërsa në Universitetin e Shkupit presioni ndaj studentëve shqiptarë që detyroheshin të mësonin maqedonisht ishte tepër i lartë. Por, pas hapjes së universiteteve në shqip, numri i shqiptarëve të shkolluar është rritur dukshëm dhe tani me të drejtë janë konkurrencë e denjë e të punësuarve maqedonas.

Punësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit, dëshmoi se ata në detyrat e reja janë shumë cilësor dhe të aftë, duke mundur të drejtojnë edhe institucione shtetërore, përkundër diskriminimeve që i hasin çdo ditë.

Si u dogj ideja qëllim mirë për ca pikë politike

Koha për punësim të shqiptarëve edhe në kompanitë private kishe ardhur dhe të gjithë pronarët këtë e kishin kuptuar. Nëse donin të mbanin edhe klientelën shqiptare, ata duhej gradualisht të bënin pranim sa më shumë të punëtorëve shqiptarë.

Por, funksionarë të caktuar, pa caktuar strategji se si ta bëjnë këtë ndryshim, si t’i “detyrojnë” edhe kompanitë private të punësojnë shqiptarë, e pa u dakordësuar njëherë e mirë mes vete në qeveri, duke shpejtuar ta marrin bajrakun se kush po punëson më shumë, e baltëzuan idenë e punësimit etnik edhe në kompanitë private.

Fillimisht nevojitej që të bëhet një studim ku do të qartësohej përqindja reale e shqiptarëve në kompanitë e targetuara private e kjo mund të bëhej duke i analizuar konkurset e shpallura, numri i atyre që kanë konkurruar dhe që janë pranuar sipas përkatësisë etnike, përbërja etnike e komisionit vlerësues dhe krahasimi i biografive të atyre që janë refuzuar me ato që janë pranuar.

Një studim i tillë me porosi të qeverisë, do të mund të realizohej nga një subjekt i pavarur, i cili do të përfshinte disa OJQ që merren me këto çështje, Odat Ekonomike dhe institucione të tjera për mbrojtje nga diskrimini etj.

Para se ideja të dilte në media, brenda partnerëve të koalicionit qeverisës duhej të dakordësoheshin se si do ta publikonin këtë ide dhe nga do të fillonin. Një moment i rëndësishëm në këtë fazë do të ishte, subvencionimi i kompanive për punësim të ndonjë profesioni të caktuar, punësim i përkthyesve duke e zbatuar ligjin e gjuhës shqipe, motivim i hapjes së kompanive edhe në zona shqiptare etj.

Punësimi i shqiptarëve nëpër kompanitë private, që me privatizim ua vodhën hisen shqiptarëve, nuk është asgjë tjetër përveç se kthim i borxhit të deritanishëm. Por, fatkeqësisht idenë e qëlluar dhe shumë të pritur, për ca pikë politike e dogjën funksionarët që me populizëm e me brohoritma mundohen të bëjnë politikë. Prandaj, për dështime të tilla duhet të mbahet përgjegjësi dhe të ketë ndëshkime, sepse nuk dihet më koha kur do të krijohet opinion pozitiv që edhe shqiptarët të marrin hisen e tyre që iu vodh gjatë privatizimit