Indrit Vokshi – Çfarë është Kodi Zgjedhor?

Nga Indrit Vokshi

Kur flasim për kushtetutën themi se kushtetuta është dokument juridik dhe politik. Institucionet të cilat përmenden në kushtetutë quhen institucione kushtetuese. Partitë politike përmenden në kushtetutë që dmth se kushtetuta iu njeh atyre rol kushtetues në zhvillimet e shtetit. Në një vendim të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese në argumentin përmes të cilit legjitimon partitë politike për të ngritur padi për çështjet e kufinjve detarë të shtetit, shprehet se partitë politike janë instrumente përmes të cilave formësohet e përcillet vullneti popullor, vullnet i cili u jep legjitimitet institucioneve.

Mbi ketë argument edhe Kodi Zgjedhor mund të quhet instrument i cili shërben për përcjelljen e vullnetit popullor, instrument i cili përcakton rrugët dhe mënyrat se si vullneti i popullit shkon dhe transformohet në institucion. Ketë instrument, Kodin Zgjedhor, shpesh politikanët përpiqen ta përdorin për interesat vetjake të pushtetit. Edi Rama sot po tenton ta përdorë Kodin Zgjedhor jo për të manaxhuar vullnetin popullor dhe për të mundësuar përfaqësimin e votës por për të siguruar pushtet personal. Duke qenë i trembur se shqiptarët nuk e votojnë ai kërkon që përmes Kodit Zgjedhor ta devijojë vullnetin e popullit votues, ta kalalizojë votën sipas nevojës dhe t’i llogarisë mandatet ashtu siç atij i intereson. Jashtë çdo parimi e çdo rregulli demokratik. Ka disa muaj që skena politike shqiptare ka mbetur peng dhe merret me Kodin Zgjedhor vetëm sepse Edi Rama ka nisur një intifadë kundër rregullave politike dhe kushtetuese të përfaqësimit dhe të votës.

Të gjithë duhet të merren me tekat dhe llogaritë personale të Edi Ramës. Në vend që të avancohet me kushtet e tjera për integrim dhe stabilitet demkratik, jo, duhet të merremi me shpikjet e Ramës, me kalkulimet e Ramës, me arrnimet e miksimet që tenton t’i bëjë instrumentit të përfaqësimit. Pra shqiptarët nuk duhet të votojnë dhe vota e tyre të llogaritet sipas rregullave demokratike të mirënjohura por, duhet të votojnë sipas rregullave personale që tenton të imponojë Edi Rama. I intereson Ramës që opozita të mos bashkohet në koalicion kundër tij? Ngrihet dhe shkruan heqjen e koalicioneve. I intereson një model i çuditshëm i listave të hapura, model allasoj me të cilin kandidati i cili merr më pak vota bëhet deputet dhe kandidati që merr më shumë vota nuk bëhet deputet? Ngrihet dhe e shkruan ketë model. Siç mund ta shohim, Kodi Zgjedhor nga instrument i përfaqësimit të vullnetit të votuesve është kthyer në telajo pikture ku Edi Rama zhgarravit çfarë t’i shkrepë në mendje.