KOSOVË: Arrestohet ish shefi i shërbimit sekret të FSK, akuzohet për krime lufte

Sali Mustafa, zyrtar civil i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ish-shef i inteligjencës së FSK-së, është arrestuar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar. Ai është prangosur nga misioni i EULEX-it. Arrestimin e zyrtarit të Ministrisë së Mbrojtjes e konfirmoi edhe zëdhënësi i këtij dikasteri, Ibrahim Shala, sipas së cilit Ministria akoma nuk ka informata se kush e arrestoi zyrtarin e saj.

“Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacionin shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Shala.

Sali Mustafa ishte ish-epror i UÇK-së dhe prangosja e tij si i dyshuar është konfirmuar përmes një komunikate për media nga zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

“Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, ka thënë Bennett. Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhër-arrestimit ose të lëshuar nga Dhomat e Specializuara. Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur, përfundon komunikata.