Ja çfarë tha Killeri me pagesë Avni Rustemi për Esat Toptanin në Gjyq

Nga Kastriot Dervishi, historian

Në fondin nr.417 (Avni Rustemi), të Arkivit Qendror Shtetëror, në dosjen nr.2, gjendet një informacion voluminoz rreth vrasjes së Esat Toptanit në Paris nga Avni Rustemi. Është interesant të shohësh si e akuzonte vetë A.Rustemin viktimën e tij para organeve të drejtësisë franceze. Hetimi nxori se Rustemi kishte para që nuk mund t’i fitonte kurrë me punë (ishte i papunë), si dhe bridhte me taksi në Paris, ushqehej mirë, etj. Në procesin hetimor dhe atë gjyqësor, Rustemi nuk ka lëshuar asnjë akuzë “tradhtie” ndaj E.Toptanit për marrëveshje me Serbinë apo për çështje territoriale. “Argumentet” kryesore të Rustemit ndaj Toptanit ishin se viktima e tij ishte:
-“Mizor”.
-“Autori kryesor i mjerimit të vendit tim”.
-“Vrasës i patriotëve shqiptarë në fund të vitit 1914” (pa dhënë asnjë emër).
-“Prej 4-5 muajsh luftonte të rrëzonte qeverinë e Tiranës”.
Sikurse edhe dihet pika e fundit është arsyeja e vrasjes së Esat Toptanit, pra dyshimi se ky mund ta rrëzonte qeverinë me anë të Osman Balit. Nëse ky argument përdoret si koncept i gjerë tradhtie, atëherë, pse nuk konsiderohen të tilla edhe kryengritjet e tjera të viteve 1921, 1922, 1924, 1926, 1935 dhe 1937. Nëse Ahmet Zogu për shembull do ta vriste Fan Nolin para se ky të organizonte me shokët e tij grushtin e shtetit të qershorit 1924, ai që do qëllonte mbi Nolin a do konsiderohej “hero” se shpëtoi vendin nga “tradhtia”?