Dekorimi i Avni Rustemit, “Risia” që solli Ilir Meta

Nga Xhafer Sadiku

Me rastin e 125-vjetorit të lindjes së Avni Rustemit, Presidenti Ilir Meta e nderoi me dekoratën më të lartë të Republikës, Dekoratën e Flamurit Kombëtar. Deri këtu nuk përbën lajm, pasi komunistët dhe majtistët në përgjithësi përgjatë 75 vjetëve të sundimit të tyre kanë dekoruar gjithfarë kriminelësh, shqiptarë apo të huaj, madje armiq të betuar të kombit shqiptar. Numri i tyre është i madh ku vendin e parë e zënë komunistët serbë dhe malazezë, rusë dhe kinezë, italianë e francezë. Madje duhet vënë në dukje se ata që e nderuan të parët Avni Rustemin që të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë, ishin urdhëruesit për të vrarë Esadin, pushtuesit fashistë.
Ajo që përbën risi në këtë vlerësim, është motivi. Presidenti e nderon : “Për aktin e tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes së Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali. Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës”.
Nisur nga motivi, duhet theksuar se komunistëve dhe nacional-komunistëve, pasi u ra teza e tradhtarit që ia veshën mbrojtësit heroik të Shkodrës, gjeneralit Esad Toptani, tani e etiketojnë me epitetin “armik i brendshëm” dhe “bashkëpunëtorë” i të huajve, që aq shumë u konvenojnë komunistëve.
Nisur nga motivi i dekretit, po qartësojmë pasaktësitë e Ilir Metës, në aspektin historik dhe juridik.
Së pari, edhe me Shpalljen e Pavarësisë, Shqipëria nuk ishte as e pavarur dhe as sovrane. Fuqitë e Mëdha që vendosnin, e njohën Shqipërinë si suzerenitet të Sulltanit. Vetëm në korrik 1913, Shqipëria u njoh si principatë, por pa sovranitet. Sovraniteti i saj ishte në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).
Së dyti, as në pushtetin e Princ Wiedit, Shqipëria nuk ishte as e pavarur dhe as sovrane. Sovranitetin e saj vazhdonte ta mbante KNK.
Së treti, në terren, gjendja paraqitej e tillë: Qysh në Maj 1913, Shkodra me rrethina ishte nën administrimin dhe sovranitetin e Fuqive të Mëdha, ndërsa që nga nëntori 1914 Vlora me rrethina ishte nën administrimin dhe sovranitetin e Italisë. Korça dhe Gjirokastra ishin nën sovranitetin e Greqisë.
Pa bërë histori për Luftën I Botërore, në përfundim të saj Shqipëria ishte nën zotërimin e Italisë dhe zonat e Veriut të Shqipërisë ishin të pushtuara nga Serbia, ndërsa Shkodra vazhdonte të ishte nën sovranitetin e Fuqive të Mëdha, fituese të luftës. Korca dhe Gjirokastra vazhdonin te ishin nen Greqine.
Atëherë, ku ishte Pavarësia dhe Sovraniteti i Shqipërisë?! Ç’farë pavarësie dhe sovraniteti rrezikoi Esad Toptani?!
Si mund të shprehet presidenti i republikës me gjuhë aspak juridike dhe që nuk kanë bazë historike! E kundërta e asaj që thotë presidenti është e vërtetë. Esad Toptani ishte për pavarësinë reale të Shqipërisë dhe e mbrojti këtë ide në takimin me presidentin amerikan Willson dhe me kryeministrat francez dhe anglez.
Si përfundim, duhet theksuar se Ilir Meta, përdor çdo mundësi që i jep posti për të dekoruar persona dhe personazhe që i sjellin përfitime politike. Me rastin në fjalë, ai llogarit që në këtë prag fushate elektorale të afrojë kriminelët dhe vrasësit komunistë dhe tu japë garanci se ai është edhe më komunist se kryeministri dhe më besnik se ai ndaj tyre. Termi “armik i brendshëm” është përdorur jo pa qëllim dhe i llogaritur saktë. Ai bën efekt tek ushtria e kriminelëve të Luftës së klasës.
Kjo është edhe një dëshmi tjetër që na tregon se shqiptarët, të paktën ata që janë të lirë dhe u dhimbset liria, duhet të injorojnë mbeturinat e komunizmit dhe simbolet e kriminelëve. Shqiptarët nuk do të kenë nder, sa kohë nderojnë vrasësit.