ART| Portreti i Botiçelit, del në shitje në vlerën e 100 milionë $

Një portret i rrallë i mjeshtrit të Rilindjes, Botiçeli pritet të dalë në shitje në ankand në Nju Jork, dhe mendohet të shitet në vlerën e 100 milionë dollarëve. E titulluar “Djaloshi që mban një medalion”, ajo është një nga dhjetra portretet e piktorit të famshëm të njohura në të gjithë botën. Veprat e tjera të piktorit “Lindja e Venusit” dhe “Pranvera” janë ekspozuar në Galerinë “Uffizi” në Firence.

Vepra mendohet të shitet për më shumë se 80 milionë dollarë. Ajo ka vlerësimin më të lartë për veprat e “Mjeshtrave të Vjetër” në historinë e Sotheby’s dhe shtëpia e ankandit tha se mund të shitej për më shumë se 100 milion dollarë.

“Ka një numër artistësh që janë vërtet olimpikë në gjenialitetin e tyre. Dhe Botticelli është një nga ata,” tha Christopher Apostle, drejtori i pikturave të Mjeshtrave të Vjetër në shtëpinë e ankandit. “Vlerësimi me të vërtetë pasqyron cilësinë, gjendjen, dhe ndikimin e madh që ka vizualisht një pikturë si kjo,” tha Apostulli.

Më pak se 20 vepra arti janë shitur në ankand për më shumë se 100 milion dollarë. Rekordi botëror i ankandit për pikturat u vendos në 2017 me 450 milion dollarë për veprën “Salvator Mundi”, të Leonardo da Vincit.

“Young Man Holding a Roundel” u ble nga pronari i saj i tanishëm, i paidentifikuar, në një ankand në 1982 në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo tregon një të ri të panjohur, anëtar i elitës së Firences në fund të shekullit të 15-të, i veshur me një tunikë të thjeshtë dhe duke mbajtur në dorë një medalion.