Avni Rustemi, patrioti i parasë!

Nha Kastriot Dervishi, Historian

Vrasja e Esat Toptanit në Paris më 13 qershor 1920, u porosit nga Tirana, nga krahu kundërshtar i viktimës. Nuk ka përveçse konkurrencës politike asnjë motiv patriotik. Ajo lidhet me prishjen e kompromisit të arritur në fillim të vitit 1920, i cili e bënte Esatin pjesë të qeverisjes. Në mars 1920, përkrahësit e Esatit, me anë të Osman Balit, i bënë presion të armatosur (po pa vrarë njeri) qeverisë që të hynte në bisedime me Esatin.
Më 15.4.1920 në pamundësi për të përballuar forcat proesatiste, parlamenti vendosi dërgimin e një delegacioni në Paris për bisedime me Esatin, të përbërë nga imzot Gjergj Koleci, Ymer Deliallisi, Fuat Toptani dhe Bajram Fevziu, shpërndarjen e popullit ditën e bërjes së ditur të kësaj deklarate, falje për ata që morën pjesë në kryengritje dhe dënimin e të pabindurve. Pikërisht në fazën e bisedimeve, Avni Rustemi ofrohet kundrejt pagesës për të vrarë Esatin në interes të kundërshtarëve të tij politikë. Se çfarë mund të bënte Osman Bali me forcat e tij, kjo mbetet hipotetike dhe e paqartë. Por nëse Bali nuk do të bënte veprime të tilla, Esatin as do ta ngiste njeri atje ku ishte dhe as do dëgjonim kurrë përralla me “tradhti” ndaj tij. Momentin e paraqitjes së Avni Rustemit, e kujton Sejfi Vllamasi.

Kujtimet e Sejfi Vllamasit:
“Avni Rustemi vazhdonte mësimet në Romë. Një ditë shkon në shtëpinë e Tefik Mborjes, inspektor i studentëve shqiptarë në Itali (në fakt ishte kryesekretar i përfaqësisë shqiptare në Romës-shënim) dhe i thotë këtij se kishte vendosur të vriste Esatin për të shpëtuar Shqipërinë, por i duheshin të hollat për shpenzimet e mëvonshme. Në atë kohë kish ardhur nga Tirana në Roma një delegacion miks qeveritar-esatit, i cili ishte në udhëtim për në Paris, për të takuar Esatin. Tefik Mborja e takon Bajram Fevzinë, anëtar i atij delegacioni, i kallëzon vendimin e Avniut për Esatin dhe B.Fevziu i jep fjalën se do t’i shkruajë Xhavit Leskovikut në Tiranë, duke përkrahur tezën e Avniu, ashtu edhe për ndihmë të hollash që ai do kishte nevojë. Avniu zbret në Durrës më 5 maj 1920 me letrën e Bajram Fevziut për Xhavit Leskovikun dhe me letrën e Tefik Mborjes për Qazim Kokoshin. I furnizuar me mjetet e nevojshme dhe i përcjellë nga Tefik Mborja, Avniu niset për Paris dhe mbas disa ditësh kryen mision e tij, bash më çastin vendimtar, në çastin e kryengritjes së stilit të gjerë që kish përgatitur Esati”.

Në foto. Esat Toptani dhe Avni Rustemi (pak çaste pas rrahjes nga qytetarët francezë, të cilët ia dorëzuan xhandarmërisë).