Pse Jozefina sillet kështu me demokratët?

Redaksionale

1. Jozefina si analiste!

Kohët e fundit, Jozefina Topalli ish kryetare e parlamentit e ka pozicionuar veten si analiste. Ajo është shfaqur katër herë brenda dy javëve, jo duke lançuar lëvizje të re politike, jo duke komunikuar ndonjë vendim të rëndësishëm por vetëm duke thënë se Partia Demokratike nuk duhet t’i fitojë zgjedhjet. Duke u shfaqur herë pas here dhe duke u thënë shqiptarëve se PD nuk duhet t’i fitojë zgjedhjet, Jozefina e ka rreshuar e saj veten në një rresht me Karlo Bolinon, Taulant Ballën, Elisa Spiropalin. Kaq poshtë të degdis mllefi.

2. Jozefina si manipulatore

Jozefina deklaron se Edi Rama i ka paraqitur ndryshimet në kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, ndërsa Lulzim Basha i ka miratuar në heshtje. Kjo është gënjeshtra e Jozefinës sepse PD i ka denoncuar fort këto ndryshime. I ka denoncuar në media si dhe duke informuar BE dhe SHBA. Por Jozefina nuk i paska dëgjuar denoncimet e PD, ajo kërkon t’i gënjejë shqiptarët duke iu thënë se Lulzim Basha paska marrëveshje me Edi Ramën mirëpo harron se shqiptarët i kanë dëgjuar denoncimet e PD. Pastaj, nëse Basha-Rama do kishin marrëveshje, çështja e Kodit Zgjedhor nuk do të zgjaste kaq shumë, Rama nuk do ta griste paktin e 5 qershorit por kjo punë do mbyllej shpejt. Mirëpo Jozefinës nuk i intereson ta përmendë ketë, asaj i intereson të gënjejë. Jozefina deklaron se dorëzimi i mandateve ia la fushën e lirë Edi Ramës por, Jozefina harron se përmes një interviste të saj ajo e ka përkrahur idenë e dorëzimit të mandateve.

3. Jozefina si diversioniste e dobët

Në intervistën e saj të fundit si analiste e ngarkuar me komentimin e zhvillimeve në PD, Jozefina deklaroi se duhet të bëjmë ndarjen e PD nga lidershipi i PD. Pra, sipas Jozefinës, kur ajo thotë se Basha është me Ramën, nuk po na thotë se është e gjithë PD-ja me Edi Ramën por vetëm lidershipi, pra vetëm Basha me besnikët e tij. Partia Demokratike, seksionet, grupseksionet, degët, Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët, përkrahin sot lidershipin e Lulzim Bashës. Nuk ka asnjë përçarje e asnjë kontestim. E nëse Basha është me Ramën, kjo dmth se e gjithë partia e cila përkrah Lulzim Bashën, na qenka me Edi Ramën. Jozefina, pra, paturpsisht po akuzon të gjithë demokratët si përkrahës të Edi Ramës. Kjo është sjellje e ulët. Janë po ata demokratë të cilët punuan dhe mblodhën vota që Jozefina të merrte 5 mandate si deputete dhe të qëndronte 8 vite kryetare e parlamentit. Kur punonin që të fitonte Jozefina, këta demokratë ishin të mirë, tani që punojnë përsëri PD veçse për emra të tjerë, sipas Jozefinës po punokan për Edi Ramën. Demokratët janë po ata që ishin, luftojnë për PD, ndërsa Jozefina po tregohet shumë mosmirënjohëse ndaj tyre.

Pyetja që lind natyrshëm është kjo: Po Sali Berisha i cili punon çdo ditë dhe ka deklaruar se punon për PD në qeveri dhe Lulzim Bashën kryeministër, cfarë është Berisha, bashkëpunëtor i Ramës? Sipas logjikës së Jozefinës, po. Sipas logjikës së vërtet, jo.

4. Jozefina si mosmirënjohëse

Demokratët e Shkodrës punuan falas për Jozefina Topallin. Qëndruan pa gjumë, pa ngrënë, pa pirë, u lodhën, u rraskapitën e u konfliktuan, lanë punët e tyre private, vetëm që Jozefina të zgjidhej deputete dhe kryeparlamentare dhe të kishte mundësi të shëtiste botën, duke shëtitur edhe me motor në shkretëtirat e Arabisë. Ndërsa sot që demokratët po luftojnë e po kapen me thonj, për të shpëtuar nga gremina ku i ka zhytur Edi Rama, duke i goditur politikisht dhe ekonomikisht, duke i sharë e duke i poshtëruar, Jozefina nuk ua kthen nderin, nuk punon falas për ta. Kjo është mosmirënjohje. Jo vetëm kaq, se po të rrinte e heshtur, gjysma e së keqes, Jozefina ka vendosur të bëhet pengesë për fitoren e demokratëve. Nëse një demokrat sot në rrugën e fitores ka si pengesa Edi Ramën, Erion Veliaj, oligarkët, tashmë pengesë është bërë edhe Jozefina.

5. Jozefina si pengesë e demokratëve

Çdokush mund të pyesë veten apo të tjerët: pse Jozefina sillet kështu? Pse kërkon që PD të humbë zgjdhjet? E vërteta është si më poshtë. Jozefina Topalli ka armik Lulzim Bashën sepse mendon se ai i ka zënë vendin si kryetar i PD. Edhe Edi Rama ka armik Lulzim Bashës sepse Basha do ia marrë vendin si kryeministër. Sipas shprehjes “Armiku i armikut tim, është miku im”, Jozefina dhe Edi Rama kanë një interes të përbashkët: humbjen e PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Edi Ramës i intereson humbja e PD që ai të marrë një mandat të tretë dhe ta sakatojë Shqipërinë përfundimisht, ndërsa Jozefinës i intereson humbja e PD sepse duke humbur PD me 25 prill, Jozefina me Tryezën e të Pashpresëve, llogarisin se nëse humb PD, Basha do jetë i detyruar të dorëhiqet dhe ata do të tentojnë të marrin drejtimin e Partisë Demokratike. Prandaj Jozefina punon që PD të humbë zgjedhjet, që demokratët të shkatërrohen dhe të demoralizohen, që Edi Rama ta marrë një mandat të tretë, vetëm që Lulzim Basha të ikë nga PD. Këto janë llogaritë e pisëta të Jozefinës, llogari kundër demokratëve, kundër Shqipërisë. Fatmirësisht këto llogari nuk do të përmbushen sepse Opozita do fitojë dhe Lulzim Basha do jetë kryeministër.

Si përfundim, demokratët duan rotacion, kurse Jozefina thotë ska rëndësi rotacioni, shqiptarët duan rotacion por përsëri Jozefina u thotë se ska rëndësi rotacioni. Sepse për Jozefinën ka rëndësi vetëm interesi i saj dhe kësaj here interesi i saj shkon kundër interesave të demokratëve dhe të të gjithë shqiptarëve. Jozefina pranon që Edi Rama ta poshtërojë Shqipërinë edhe 4 vjet, vetëm që t’i realizohet interesi për të rrëzuar Lulzim Bashën. Ndaj për ta kuptuar saktë se çfarë ka Jozefina, duhet të rikujtojmë mesazhin që lexoi Ilir Meta, mesazh që ia kishte nisur Edi Rama ku i thoshte: “I kam thënë Lulit, pas qershorit 2019, sdo jesh më kryetar i PD, ndërsa ti Ilir, sdo gjesh më LSI”.

Edi Rama pra, ndihmon kundërshtarët e Lulzim Bashës brenda PD që përmes tyre ta godasë dhe dobësojë kundërshtarin Basha, por asgjë nuk ia ndalon rrënimin. E prandaj Jozefina e cila i shërben këtij qëllimi dhe i janë përputhur interesat me Edi Ramën, do të mbahet mend njëlloj si qyqarët e “Opozitës së Re” të cilët për interesa meskine, mllefe apo vese, u futën në parlament dhe i shërbyen Ramës për të ndejtur në këmbë.