Selim Kurti – Diktatura e pamëshirshme digjitale

Nga Selim Kurti
_______
Historitë shqiptare i njohim më pak, se ne i mbajme te fshehta per shkak te mentalitetit e komplekseve, por ka plot drama te tilla edhe midis nesh.
Fabio e kishte emrin.
Nuk është më midis të gjallëve. E vrau dashuria pasionante për një vajzë, e cila mëtohej edhe nga një bashkëmoshatar. Preludi i fundit tragjik? Një përleshje virtuale, facebook-iane, plot vrer e vulgaritet.
Një vajzë italiane 17-vjeçare, e bukur dhe e buzëqeshur, u vetëvar.
Për “fajin” se deshi një djalë, me të cilin kaloi një mbrëmje erotike, filmuar nga një celular.
E hodhi dikush në rrjet dhe atje “lart” u vulos fundi i saj ketu poshte.
Mijëra çakenj i përhapën pamjet, i poshtëruan me komente, i bënë fërtele.
U përpoq të fshihej: ndërroi emrin e qytetin, por jo.
Hienat e ndiqnin pas për t’ia shqyer edhe copën e fundit të mishit e shpirtit.
Një vajzë tjetër italiane u përdhunua në banjo, u filmua nga ujkonjat e uritura (shoqet e saj), u hodh në kthetrat e rrjetit dhe u damkos pa pëshirë, përjetë.
Dihet se pas çdo masakrimi të tillë, avokatët e gjykatësit, në unison, ligjërojnë: “po hajt se punë kalamajsh ishte”, “kështu e kanë adoleshentët” etj.
T’u hedhësh një sy (vetëm kaq) rrjeteve sociale e komenteve të portaleve online – kryesisht Facebook-ut – duhet të vësh maskën e hundëve për të shpëtuar nga kutërbimi i detit të zi të sharjeve, shpifjeve, intrigave, pabesive, ngërdheshjeve e cinizmit pa kufi.
Një agresion digjital i paskrupullt, tinëzar, hipokrit, fantazmagorik, i pakapshëm, i paidentifikueshëm po na pushton.
Një luzmë e hordhi të frustruarish, anonimësh e impotentësh nuk ka të ndalur.
Rrjetet sociale vrasin edhe fizikisht, por moralisht po bëjnë kërdinë.
Ka ardhur e ka kaluar koha e një kryengritjeje. Jo nga ata të Salos sonë, me hunj, molotov e kallashnikov.
Neve na nevojitet urgjent një rebelim njerëzor i fortë kundër dhunës digjitale, kundër totalitarizmit digjital që po na bën robër të urrejtjes.
Do të ishte një akt dinjiteti. Që të mos lejojmë të na mundë fanatizmi sadist virtual.
Duhet të reflektojë thellë gjithë shoqëria, po sidomos institucionet, nga të cilët shkolla jonë se ajo është fidanishtja e pashtershme e adoleshencës, si kontigjenti kryesor i riskut nga efektet anësore të teknologjisë.