Më pak shpresa, më mirë

Astrit Lulushi

Njerëzit përreth janë të çuditshëm, por thuajse çdo njeri është pak i tillë; bota qëndron pezull, herë-herë lëkundet dhe ndryshimet në njerëz janë pasojat e dridhjeve të saj. Ja ku është një i tillë pak i dhjamosur, herë me mustaqe herë me mjekër, herë jo, sipas konjukturave ose njerëzve që u serviloset a kërkon t’i kopjojë, në pamje. Dhe duket i kënaqur, plazmë, si kandil deti. Pastaj kërkon të hajë, shumë, dhe merr barna kundër kolesterolit tre herë në ditë. Djersit duke ndenjur, mos pi cigare, thotë, kushtojnë shumë, kanë erë të rëndë dhe bëjnë keq për shëndetin.
Ai pret, mendon se përmbysja fillon nesër. Ndoshta… Por problemi me ndryshimet është se ato duhet të fillojnë nga brenda-jashtë dhe sot. Ndryshimet janë ngritje kryesh, vijnë me trazira, si revolucionet. Gjëja e parë që njerëzit bëjnë gjatë trazirave është vrapimi masiv drejt plaçkitjes, me dyqanet si vijë finishi, ku rrëmbejnë, ndonjë televizor me ngjyra, të njëjtin helm që armikun e tyre e bëri mediokër.
Jo se njeriu i varfër nuk duhet ndihmuar apo njeriu i paedukuar nuk duhet edukuar, që i sëmuri nuk duhet mjekuar, e kështu me radhë. Por problemi është se njerëzit kurrë nuk nxënë dhe udhëheqësit e tyre i veshin me ca veshje të bukura, ideale, edhe kur disa prej tyre janë të sëmurë mendorë. Shumë syresh janë thjesht oportunistë të momentit, gati të bëjnë marrëveshje me djallin për kult personal a një grusht parash.
Ka njerëz që nuk duan të kalojnë nga një udhëheqje e keqe në një tjetër të ngjashme – kjo bëhet çdo 4 vjet me zgjedhje. Të tjerë thonë se një përmbysje largon shumë të këqija edhe pse koha ka treguar se historia njerëzore ecën shumë ngadalë. Por duket se ndryshimet janë si vuajtjet a përmbytjet që sjellin shumë të këqija por edhe ndonjë të mirë. Dhe vetëm kaq duhet shpresuar, jo më shumë.