Antikomunizmi në veri| Deklasifikohet pjesa e dytë të historisë së Sigurimit të Shteti

Ilir Vata

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka deklasifikuar pjesën e dytë të historisë së Sigurimit të Shteti që ka të bëjë me rezistencë antikomuniste dhe rezistencës në Veri dhe Shqipërinë e Mesme.

Asgjësimi i organizatave antikomuniste dhe rezistencës në Veri dhe Shqipërinë e Mesme paraqiten si arritje në Historikët e Sigurimit të Shtetit: “Lufta kundër banditizmit politik zë një nga faqet më të lavdishme dhe më heroike në historinë e organeve të Sigurimit të Shtetit. Në banditizmin politik bënin pjesë bandat, të cilat ishin detashmentet e reaksionit të brendshëm që shprehnin luftën më të ashpër klasore”.(Historia e Armës së Sigurimit të Shtetit, vëll. II, fq. 196). Në fakt, këto janë ndër faqet më të errëta të diktaturës komuniste shqiptare, tregues të brutalitetit të regjimit ndaj atyre që për shkak të klasës ku bënin pjesë ose mendimit ndryshe konsideroheshin armiq.

Lufta kundër rezistencës së armatosur do të kalonte në disa faza. Faza e parë përfshin vitet dhjetor 1944 – shtator 1946, veprimtari që u zhvillua në dy etapa kryesore, që u karakterizuan nga përleshje të përgjakshme. Në etapën e parë (dhjetor 1944- shkurt 1945) u krye operacioni i spastrimit me forca ushtarake. Etapa e dytë (mars 1945- shtator 1946) është faza e asgjësimit të rezistencës në grupe të mëdha dhe përçarja e tyre në njësite të vogla, strukja në pyje të dendura, shpella e guva të nëndheshme. Në këtë etapë u organizuan njësite të vogla ndjekëse, duke futur informatorë në radhët e grupeve antikomuniste ose “bandave politike”, siç i quan Sigurimi. ((Historia e Armës së Sigurimit të Shtetit, vëll. II, fq. 197 – 198)”.

Gjatë muajve tetor 1946- janar 1947 do të organizohej edhe operacioni i spastrimit me forcat e ndjekjes dhe organet e Sigurimit të Shtetit në të gjithë zonat ku qarkullonin grupe antikomuniste. Për t’i likuiduar grupet antikomuniste do të ngriheshin posaçërisht në dimrin e 1946-1947 katër batalione që do të merreshin me ndjekjen dhe asgjësimin e tyre. (Historia e Armës së Sigurimit të Shtetit, vëll. II, fq. 204).

AIDSSH sqaron se “faza e dytë kundër grupeve antikomuniste përfshin periudhën janar 1947- janar 1948. Në këtë fazë seksionet e Sigurimit të Shtetit përdorën taktika të ndryshme si takimi me disa krerë të grupeve dhe bërja e premtimeve, thirrjet me anë të afërmeve për t’u dorëzuar dhe futja e informatorëve në radhët e këtyre grupeve për t’i përçarë nga brenda. (Historia e Armës së Sigurimit të Shtetit, vëll. II, fq. 211). Por metoda më efikase që do të jepte rezultat për eliminimin e grupeve të rezistencës dhe organizatave antikomuniste, ishte futja e agjentëve në radhët e tyre”.