Shqiptarë hesapi, jeni bërë për update…!

Nga Era Dushi

Rropatesh me kërkime, hulumtime, vizita, udhëtime, fakte, prova, kuriozitete, që ti hapësh sadopak diapazonin këtij populli injorant. E çfarë arrin?! Asgjë, fiks asgjë!
Jo mo vlla’, po nuk panë shalë, gjoks, filtra,silikon, luks, makina, bizhu… e ku di unë se çfarë të tjerash që vetëm me punë djerse nuk janë të arritura, nuk shfaqin asnjë lloj interesi.
Po mirë ore njerëz “të dashur”, që ankoheni nga mëngjesi në darkë për degradim të rinisë, të shoqërisë. Si ka mundësi që po ju, këtyre fotove që kritikoni nga kafenetë e lagjeve apo divani i sallonit, i pëlqeni dhe komentoni në masë?! E kundërta ndodh me një foto të thjeshtë, informuese, e cila supozohet të ngacmojë trurin tuaj aq të ngurtësuar e të mbyllur, të cilit i keni thënë “ik pirdhu” përsa i përket daljes nga injoranca.
Nuk doni “o vlla”, nuk doni. Nuk ju intereson as Da Vinçi, Anshtajni, Lumiere, Nënë Tereza, as Teuta ilire. Ju interesojnë vetëm veshjet, dukja dhe klikimet.
Që të mos keqkuptohemi, nuk kam asgjë me të bukurën dhe luksin. Ore, na kënaqët sytë! Por këto gjëra kaq sipërfaqësore janë kthyer në mediokritet. Ju vajza që këpusni kërrbishten për të realizuar një foto në pozicionin e duhur, nuk është e tepërt të dini kush e shpiku fotografinë, si evoluoi ajo!… Edhe ju djemtë me makina të shtrenjta, informohuni mbi makinën e parë. Ikni prej injorancës, o njerëz!
Fundja nuk kam asgjë me ju jo, e kam me ata “anonimët” që nuk përtojnë në asnjë moment të paragjykojnë, kritikojnë dhe ngushëllojnë veten me “nuk bëhet Shqipëria”.
Ata nuk dua t’ju dëgjoj më, më vjen pështirë kur i dëgjoj, se ndryshe flasin e ndryshe veprojnë. Shqiptarë hesapi mo’!
Jeni bërë për update!