INTERVISTA| Hasan Bello: Historia e Shqipërisë ofron shumë “mësime” për politikën. Ja 4 kolonat mbështetet në shtet serioz

Redaksia e Faktor ka nisur një cikël intervistash, me goditje të përqëndruar, për të riaktivizuar nervin intelektual dhe nevojën për një riinterpretim të realitetit ku ndodhemi dhe asaj që na pret, duke kaluar edhe përmes një rivizitimi të së kaluarës sonë. Më parë kanë qenë shkrimtarë si Virion Graçi, Rudi Erebara, Stefan Çapaliku, ose/dhe gazetarë të njohur te djathte si Nebil Çika, Basir Çollaku dhe Fitim Zekthi. Sot po e fillojmë një historian të ri, shumë premtues, si Dr. Hasan Bello, i cili do të japë disa përgjgje pyetjeve tona. 

  1. Cili është mësimi më i përsëritur nga historia e Shqipërisë dhe më i pamësuar nga qeveritarët e radhës deri sot?

Dr. Hasan Bello: Historia e Shqipërisë ofron shumë “mësime” për të cilat partitë dhe politikanët shqiptarë nuk kanë arritur të nxjerrin përfundimet e duhura. Për këtë arsye mund të themi se në 100 e ca vitet e fundit të shtetit shqiptar janë përsëritur shpesh herë të njëjtat fenomene negative. Nëse bëjmë një paralelizëm mes të kaluarës me vitet e tranzicionit, do të thoja se ngjashmëri më të madhe mes këtyre dy segmenteve historike ka me periudhën 1920-1924. Pothuajse të gjitha problematikat e kësaj kohe kanë përpuethshmëri këtë etapë. Kjo për shkak se në këtë fazë fillon de jure dhe de facto krijimi dhe konsolidimi i institucioneve kombëtare të shtetit shqiptar; krijimi i partive politike; lufta për pushtet; hartimi i legjislacionit dhe zgjedhjet e para politike; kontestimet, manipulimet dhe grushtet e shtetit; vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet kryesore; organizimi i sistemit gjyqësorë; miratimi i ligjit të shtypit;  dhe mbi të sepse në këtë periudhë u krijua modeli i opozitarizmit, i cili ishte arketipi më negativ i të bërit politikë.

Gjithësesi, nëse do të veçoja një “mësim” të pamësuar për qeveritarët e radhës, që i ka rrënjët që në këtë periudhë janë, për fat të keq, zgjedhjet e lira. Për këtë nevojitet një konsensus kombëtarë-politik. Përpjekjet për manipulimin e tyre dhe ardhjen në pushtet në mënyrë ilegjitime prodhojnë një demokraci të deformuar; për rrjedhojë vjen destabiliteti politik, duke gjeneruar krizë në të gjitha fushat.

  1. Cilat janë 4 kolonat kryesore, ku, sipas jush, nuk është mbështetur ende një shtet serioz shqiptar?

Dr. Hasan Bello: Sipas meje disa nga kolonat kryesore në të cilat duhet të mbështetet një shtet serioz shqiptar janë:

  1. Vendosja si prioritet dhe kriter themelorë për çdo gjë të interesit kombëtarë. Nëse hedhim një vështrim tek shtet fqinjë Serbia dhe Greqia, konstatojmë se pavarësisht qeverive që ikin dhe vijnë axhenda politike e interesave të tyre kombëtare, nuk ndryshon. Kjo ka sjellë kohezion dhe sukses në raport me shtetin shqiptar, i cili ndryshon qëndrim sipas partive politike.
  2. Ndërtimi i shtetit të së drejtës, dhe jo të një shteti ligjorë, sepse ligje kishte dhe në vitet e diktaturës komuniste, por nuk kishte drejtësi…Për këtë nevojiten individë të ndershëm më tepër se profesionistë. Këta të fundit krijohen me kalimin e kohës vetvetiu. Disa herë kur bie fjala për reformën në drejtësi, si diçka që e kemi shpikur sot dhe që do të ofrojë garanci maksimale, më është dashur tju rikujtoj shumë miqve ligjin për organizimin e gjykatave në vitet 20-të të shekullit të kaluar, në të cilin kishte një nen sipas të cilit një gjyqtarë i shkallës së parë nëse brenda vitit humbiste mbi 50% të vendimeve në një gjykatë të shkallës së dytë, automatikisht përjashtohej nga sistemi. Ky ishte një vetting permanent dhe jo si ky i sotmi, i cili kur të mbarojë, nuk do të na japë kush garanci që të përzgjedhurit do të kenë imunitet nga korrupsioni. Pra, të rëndësishëm janë mekanizmat ligjorë dhe institucionet.
  3. Ndërtimi i institucioneve arsimore të një profili të lartë, ku të “prodhohen” qytetarë në kuptimin sociologjik të fjalës. Në të gjitha shtetet europiane arsimi mbetet një mjet i pazëvendësueshëm, pas familjes, që meret drejtpërdrejt me edukimin e individit. Edukimi, në vetvete, nuk nënkupton vetëm procesin e të nxënit, por një spekter më të gjerë formues.
  4. Një nga gabimet e politikanëve shqiptarë ka qenë orientimi i gabuar i ekonomisë shqiptare. Shqipëria mund të mbijetojë falë të qenit një vend agro-bujqësorë dhe me turizëm. Vetëm tek ne shikon toka të papunuara, të pambjella, duke patur një klimë të “llahtarshme” në kuptimin e mirë të fjalës. Bregdeti shqiptar ofron gjithashtu një mrekulli tjetër, por të masakruar si askush tjetër në Ballkan. Kjo mund të riurbanizohet, duke bashkëpunuar me investitorë të huaj për ndërtimin e resorteve turistike nga e para. Por këtë e pengon inkriminimi i politikës dhe mungesa e vizionit.

3. Si mund të ndërtohet në kohë rekord bashkëjetesa harmonike mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Dr. Hasan Bello: Në radhë të parë këtu duhet të citoj gazetarin e njohur investigativ italian Roberto Saviano, i cili në një intervistë të para disa viteve në Tiranë ka deklaruar se bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e pengon mafia rajonale, e të dyja vendeve. Në fillim kjo mu duk si diçka e ekzagjeruar, por nëse e shikon hollë hollë ka të drejtë. Deri sot qeveritë e të dyja vendeve kanë ofruar vetëm spektakle mediatike, me anën e mbledhjeve të përbashkëta, pa bereqet.

Kjo mund të filloi në fushën e kulturës. Pothuajse shumë pak botime librash që botohen në Prishtinë vijnë në Tiranë. Në fushën e sportit është arritur diçka, por duhej bërë akoma më tepër. Pastaj vijmë tek heqja e kontrollit në pikat kufitare; bashkëpunimi ekonomik, i cili në vend që të konsolidohet, minohet, me anën e taksave absurde, siç është ajo në “Rrugën e Kombit”. Unifikimi i programeve mësimore në të gjitha ciklet arsimore do të ishte një perspektivë tjetër…

 

  1. Në cilën periudhë historike shqiptarët dhe qeveria e tyre kanë pasur një dashuri reciproke dhe si mund të përsëritet kjo ndjenjë humaniste sot në kohët e hiperurbanizimit?

Dr. Hasan Bello: Për mendimin tim, që sigurisht është subjektiv, por i mbështetur në hulumtimet arkivore, periudha më e artë mbeten vitet e Monarkisë 1928-1939. Kjo për shkak se drejtuesit e shtetit shqiptar në këtë periudhë kishin një bonsens për të ndërtuar dhe zhvilluar vendin. Nuk është rastësi që në diplomaci kemi personalitete të një kalibri europian si Mehmet Konica, Rauf Fico, etj; në mjekësi Prof.Dr.Rifat Frashërin, dr.Jani Bashon, etj, në arsim Mirash Ivanajn, Jani Mingën, etj; kjo listë mund të vazhdojë me emra të tjerë të njohur në të gjitha fushat. Prandaj, rrespekti që qytetari shqiptar kishte për shtetin e tij në këtë periudhë ishte në nivelet më të larta. Nuk duhet harruar se me pasaportën shqiptare lëvizje lirshëm, leku shqiptar këmbehej me një kurs të lartë; ndërsa nuk ishte zhvilluar ende infrastuktura rrugore, ekzistonin linjat e brendshme ajrore në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe jasht saj. Gjimnazet kryesore kishin një nivel të paarritshëm edhe sot e kësaj dite. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi për qytetarin ishte drejtësia. Nuk bëhej fjalë për juristë të paformuar në kohën e Zogut. Këtë e pranojnë edhe drejtues të lartë të organeve të drejtësisë së periudhës komuniste. Legjislacioni u reformua në përputhje me arritjet më të mira të kohës. Prandaj, duke evokuar pikat, personalitetet dhe sukseset më të mira të një periudhe historike, ne mund të krijojmë steriotipet pozitive për brezat e rinj, se ky vend mund dhe duhet të bëhet.