Topuzi: 65 për qind më pak turistë se sa një vit më parë, shumë hotele kanë falimentuar

Anëtari i Shoqatës së Turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi të martën është shprehur se industria e turizmit dhe udhëtimit në vendin tonë dhe jo vetëm është shqetësuese për shkak të problemeve që shfaqi pandemia.

I ftuar në një lidhje me Skype për edicionin informativ në televizionin TVT, Topuzi theksoi se shtetet po marrin masa ekstreme, duke detyruar edhe shtetasit e tyre të kalojnë në karantinim dyjavor dhe sipas tij, sigurisht kjo masë, e kthen turizmin në një industri pothuajse të pamundur.

“Po të bëjmë një analizë të muajve që kanë kaluar kemi shifra jo optimiste. Për muajin prill kemi vetëm 3 për qind të turistëve që kanë ardhur, krahasuar kjo me një vit më parë. Në muajn maj kemi vetëm 4.1 për qind të turistëve, në qershor kemi një rritje 28.5 për qind dhe në muajin korrik 32.9 për qind. Këto janë shifrat të publikuara nga INSTAT”, u shpreh ai.

Topuzi deklaroi se për 7-të mujor Shqipëria ka shënuar gati 65 për qind më pak turistë se sa një vit më parë, duke treguar se të ardhurat nga turizmi për këtë vit do të jenë minimale.

“Kemi rreth 1.2 milion turistë të ardhur gjithsej, ndërkohë 7-të mujori është pjesa më e rëndësishme”, tha ai.

Sipas tij, situata nuk është optimiste, pasi kemi një periudhë prej tre muajsh ndërprerje. Ai theksoi se edhe sezoni turistik në vend filloi me vonesë, pasi deri me datë 15 korrik akoma nuk ishte përcaktuar menaxhimi i plazheve dhe sigurisht një fakt i tillë solli edhe vonesë në hapjen e sezonit.

“Një gjë e tillë nuk e pengoi ardhjen, pasi Shqipëria i kishte hapur kufijtë dhe lëvizjet nga vendet europiane ishin pothuajse minimale. Shans ishte që Kosova vendosi të vizitojë Shqipërinë me një numër gati 50 për qind më të ulët se vjet dhe ndoshta ishte burimi kryesor i të ardhurave për turizmin e huaj dhe sigurisht një pjesë e shqiptarëve të larguar jashtë vendit të cilët erdhën”, tha ai.

Topuzi deklaroi se gati 65 për qind e turistëve në Shqipëri vijnë nga rajoni, ndërsa Kosova është furnizuesi kryesor është Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Ai theksoi se përgjatë këtij viti një periudhë të vështirë shënoi edhe sektori i hotelerisë në Shqipëri, pasi shumë hotele pësuan një bllokim për shkak të anulimit të aktiviteteve kulturore dhe poltike, duke anuluar organizimin e konferencave.

Topuzi, nënvizoi se një pjesë e këtyre hoteleve janë mbyllur dhe një pjesë e tyre kanë falimentuar.

Shansi i Shqipërisë, sipas tij, është se 80 për qind e hoteleve në vendin tonë janë me një kapacitet të vogël, me një menaxhim familjar dhe ndoshta për këtë arsye ata kanë mundur t’i shpëtojnë rrezikut të kësaj pandemie.