Më shumë se 50% e rasteve me COVID në Tiranë, ja zonat më të nxehta

Kur po mbyllet java e 36-të e pandemisë, vështirë të gjesh zona “të gjelbra” veçanërisht në kryeqytet, i cili është kthyer në vatrën kryesore të infeksionit.familjaret-pacientet-pritja-Infektivi-QSUT-Pipero-Pellumb (3)

Më shumë se 50 për qind e rasteve aktive me COVID-19 janë në Tiranë. Konkretisht, referuar të dhënave zyrtare, nga 3779 të infektuar aktivë, 2066 prej tyre janë në Tiranë. Zonat më të frekuentuara janë edhe ato më të prekurat. Kështu, veç Kamzës, zonës së Astirit në listën e kuqe janë edhe “Kodra e Diellit”, “Komuna e Parisit” dhe zona e ish-Bllokut.
SITUATA

Sa i takon situatës për 24 orët e një dite më parë, janë raportuar 123 raste të reja nga 857 teste të kryera. “Kanë vijuar testimet për personat e dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve. Nga 857 testime të kryera, janë identifikuar 123 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV-2.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 40 raste në Tiranë, nga 11 raste Durrës, Korçë, nga 8 raste Shkodër, Kavajë, 7 në Fier, nga 6 raste Elbasan, Has, 5 në Berat, nga 4 raste Pogradec, Sarandë, 3 në Kukës, nga 2 raste Lezhë, Malësi e Madhe, nga 1 rast në Krujë, Lushnje, Vlorë, Bulqizë, Shijak, Skrapar”, tha Mirela Cami.

Të premten u regjistruan edhe 5 humbje jete, duke e çuar në 306 numrin e personave që kanë humbur betejën me sëmundjen nga fillimi i pandemisë.

“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen: një 56-vjeçar nga Cërriku, një 80-vjeçar nga Kurbini, një 82-vjeçar nga Elbasani dhe 2 qytetare nga Tirana, një 68-vjeçare dhe një 77-vjeçare”, tha më tej Cami. Ndërsa në dy spitalet Covid aktualisht po marrin trajtim 210 pacientë, pra, në raport me një javë më parë kemi një ulje të numrit të shtrimeve apo të pacientëve që kanë nevojë për kujdes të specializuar.

“Në spitalin Infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 190 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive, nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar. Gjithashtu, në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 20 qytetarë, të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”, bëri me dije Ministria e Shëndetësisë.