Si sot, 97 vjet më parë qeveria greke vrau gjeneralin italian Tellini që po përcaktonte kufirin Shqipëri-Greqi

Si sot, 97 vjet më parë, më 27 gusht të vitit 1923 mbeti i vrarë në një pritë të mirëorganizuar, gjenerali italian Enriko Telini, një ushtarak karriere dhe i dekoruar me një sërë medaljesh për kontributin e tij për shtetin italian.

Në përshtatje me aftësitë ushtarake e politike, më 9 nëntor 1922 Konferenca e Ambasadorëve e zgjodhi kryetar të Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij grek. Vendimet e marra për përcaktimin e shumë zonave brenda kufirit shqiptar, në bazë të dëshimive të terrenit dhe atyre historike, ngjallën pakënaqësi të theksuar në radhët e palës greke. Situata e krijuar vijoi me atentatin ndaj Gjeneral Telinit dhe shoqëruesve që ndodheshin me të, çka solli dhe reagimin e Italisë. Komisioni Hetimor Ndërkombëtar i ngritur posaçërisht për këtë rast vërtetoi se vrasja ishte organizuar nga vetë qeveria greke. Rrjedhimisht shteti grek u ngarkua të paguante dhe një dëmshpërblim tejet të madh, bashkë me shpalljen fajtor për vrasjen.

Shteti shqiptar e nderoi veprën e gjeneral Telinit duke vendosur emrin e një rruge në kryeqytet dhe bustin e tij më 1933. Më pas Telini u nderua edhe me një shtatore e cila u punua nga mjeshtri Odhise Paskali. Shtatorja u përurua më 27 gusht 1941, siç na njofton Qarkorja e Kryeministrisë që po vendosim bashkëngjitur. Në fotografinë e dytë paraqesim shtatoren e Gjeneral Telinit, dhe në imazhin e tretë vërtetimin e marrjes në dorëzim të shtatores nga Bashkia e Tiranës.