Osman Myderizi, një pionier i qasjeve moderne në gjuhësi dhe në shkencat sociale


Nga Prof. ALBERT DOJA

Arsyet e ndërrimit të emërtimit etnik të shqiptarëve nga “ilir” apo “epirot” në “arbër” dhe më vonë në “shqiptar” mbetet një çështje shumë e rëndësishme, jo vetëm thjesht për “albanologjinë” por për shkencat apo studimet shqiptare në përgjithësi. Çuditërisht, nga pikëpamja teknike, kjo çështje është monopolizuar nga gjuhëtarët dhe njihet e rrihet prej tyre që prej afro 250 vjetësh duke filluar me Johann Thunmann në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe me Gustav Meyer një shekull më vonë, i cili sillet përsëri në shqip nga Anila Omari. Sigurisht, edhe pse në shumicën e rasteve albanologët e huaj vazhdojnë të fetishizohen për çdo lloj detaji teknik, mund të ketë pasur kohë më kohë edhe ndonjë zbulim apo botim të ri si Fjalori da Lecce apo si dëshmitë e reja dialektore që ka gjurmuar me shumë interes Mimoza Karagjozi-Kore. Megjithatë, me sa di unë thelbit të çështjes gjuhëtarët nuk i janë afruar pothuajse asnjëherë, ndonëse e përmendin shkarazi si diçka që me sa duket nuk ka ndonjë rëndësi teknike. Them “pothuajse asnjëhere” pasi nuk mund të lihet pa përmendur një rast si Osman Myderrizi që me sa di unë është i vetmi ndër gjuhëtarët që ka prekur këtë çështje por që nuk është vlerësuar asnjëherë për arritjet e tij, pikërisht sepse gjetjet e tij nuk janë teknike por konceptuale.

Osman Myderrizi ndoshta nuk njihet si duhet sepse gjatë periudhës komuniste ai është detyruar të heshtë, është denigruar dhe është dënuar me harresë, ndërsa pas rënies së komunizmit asnjëri nuk është kujtuar për ta promovuar sepse ai nuk ishte as me komunistët as me kolaboracionistët, as nga veriu dhe as katolik, por thjesht patriot dhe tirans “qytetar nderi” i Tiranës. Askush nuk e di apo nuk kujtohet më se ai ishte deputet i Parlamentit të parë shqiptar, hapi shtëpinë e vet për gjimnazin e parë të Tiranës (sot gjimnazi Qemal Stafa), ishte kryeredaktor i gazetës Ora e Tiranës, inspektor i arsimit, autor i Gramatikës së parë (dhe të fundit) të shqipes gegnishte të botuar në vitin 1940. Ai është edhe një nga bashkëautorët e harruar të Fjalorit të 1954 për të cilin flitet sikur vetëm Eqrem Çabej ta ketë hartuar. Ai ka bërë edhe një punë titanike për transliterimin, botimin dhe studimin e Divanit që është tretur në drejtime të paditura dhe është varrosur përfundimisht.

Por çfarë është edhe më e rëndësishme, Osman Myderrizi është një pionier i qasjeve moderne në gjuhësi dhe në shkencat sociale që në vitet 1933 dhe 1943 pikërisht me studimet e tij mbi çështjen e ndërrimit të emërtimit etnik të shqiptarëve. Gjuhëtarët tanë mund t’i kenë përmendur këto punime, por vetëm për të dhënat e tyre teknike. Me sa duket gjuhëtarët dhe albanologët tanë akoma nuk janë në gjendje ta vlersojnë këtë largpamësi të Osman Myderrizit, që është unike në historinë e studimeve shqiptare apo albanologjike. Në fakt, mund të them se Osman Myderrizi u ka paraprirë qasjeve kontrastive dhe transaksionale që bota akademike perëndimore do t’i njihte vetëm pas vitit 1969 me punimet e antropologut norvegjez Fredrik Barth dhe kolegëve të tij. Unë nuk jam gjuhëtar dhe ndoshta nuk i njoh mirë çikërrimat teknike me të cilat merren albanologët prej 250 vjetësh dhe mund të them me keqardhje të jashtëzakonshme se pikërisht për arsyet që përmenda më sipër edhe unë nuk kam mundur të njihem në kohë me punimet e Osman Myderrizit. Megjithatë, duke u mbështetur në modelet hipotetike-deduktive, në punimet e mia kam përdorur qasjet moderne kontrastive dhe transaksionale tashmë të njohura që prej vitit 1969 dhe mund të them se në lidhje me ndërrimin e emërtimit etnik të shqiptarëve kam arritur në të njëjtat përfundime me ato që Osman Myderrizi ka shprehur që në vitin 1933, në vitin 1943, dhe në vitin 1965.

Sikur gjuhëtarët dhe studiuesit shqiptarë të njihnin e të vlerësonin më mirë punimet e Osman Myderrizit do t’i kishin kursyer vetes dhe shkencës shqiptare të paktën një shekull rrotullimi pa lëvizur nga vendi mbi këtë çështje si dhe për shumë çështje të tjera.