Shtypi “i pavarur”, të mos zhytet në llumin e të pavërtetave


Eden Babani, Bruksel

Me hidhërim, lexova në shtypin online, se ka ndërruar jetë Aneta Rama (Koleka). U prehtë në paqe shpirti i saj sa i dëlirë, – ashtu siç e kam pas njohur qysh në rininë time të hershme si fqinje, me familjen e së cilës na lidhnin fije të panumërta fqinjësie, – aq edhe i copëzuar për shkak të prapësive të të birit, Edi Rama, sot Kryeministër i Shqipërisë.. Në vitet ’54, kam pas jetuar në lagjen Skelë të Vlorës. Asohere, – sapo kisha mbaruar shkollën e mesme, – më emëruan arsimtar në shkollën shtatëvjeçare të Skelës. Aneta ishte nxënëse në vitin e dytë a të tretë të gjimnazit, nëse s’ gaboj. Babai im, Dr. Fiqret Babani, ka pas qenë mjeku i familjes së Kolekave. E thërrisnin edhe në mes të natës, për ndonjë urgjencë, dhe ai u përgjigjej sakaq. Anetën e kujtoj si një vajzë të pashme e të shkathët, mbi të gjitha shumë e sjellshme me këdo. Edhe me mua. Përshëndeteshim thuajse çdo mëngjes, teksa unë shkoja në punë, kurse ajo në shkollë. Kaq. Më pas, rrugët e jetës na ndanë. Mua, përpara se të më jepej e drejta e studimeve universitare, më transferuan në shkollën e Nartës, kurse Aneta përfundoi studente në Poloni. Gjithsesi, konsideratat tona reciproke, gjalluan gjithnjë, edhe kur u kthye nga Polonia, edhe kur ishte stomatologe në një nga klinikat stomatologjike më të njohura të Kryeqytetit. Është e vërtetë se kam shkruar edhe një artikull-replikë për pretendimin e saj mbi “këmbënguljen e të birit”, kur studionte për pikturë. Sipas saj, Edi qenkësh bërë qull në kodrat e Liqenit Artificial, por punën nuk e paskësh ndërprerë, falë pasionit për artin. Çadrën ia paskësh vënë kavaletës, kurse veten e paskësh lënë në mëshirë të shtrëngatës… Nuk e përjashtoj që ngjarja të ketë ndodhur. Por kjo, më shumë sesa pasion, tregon budallallëk. Ka qenë koha kur Edi kishte vënë kandidaturën për t’u zgjedhur deputet i Vlorës, kur bëra shkrimin, pasi isha njohur me çka kishte thënë e ëma për të birin, tashmë politikan, jo artist. Mesazhi i saj për elektoratin ishte qartë i lexueshëm. Ama e ndjera Anetë, veç me një tundje gishti dhe me një shkelje syri më “qortoi”, kur u takuam rastësisht në Tiranë. Gjykim dy-kuptimesh. Në fund të fundit, gjaku nuk bëhet ujë. Teksa shpreh keqardhje time për largimin e Aneta Kolekës (Rama) nga kjo jetë, tërthorazi u shpreh ngushëllime edhe familjarëve, edhe Kryeministrit. Gjaku ujë nuk bëhet.Ama nuk jam i një mendjeje me shtrembërime të së vërtetës, thjesht për qëllime politike. Aneta nuk ka qenë e motra e Spiro Kolekës, por e mbesa, vajza e vëllait të anëtarit të Byrosë Politike të PPSH-së. Madje, me sa di unë, dy vëllezërit Koleka, nuk kishin marrëdhënie të mira familjare bash për shkaqe politike. Hollësira nuk di, por lagjja jonë, Skela, ziente asohere për marrëdhëniet e tyre. Edhe njëherë, u prehsh në paqe, Anetë! Të qoftë dheu i lehtë e i dëlirë në jetë të jetëve, ashtu siç ke qenë edhe ti në të gjallë!