Shqiptarët duhet të ikin pa paguar!

Nga Indrit Vokshi

Shqipëria po paguan tri refrene. Po paguan refrenin “Ja iku Rama, kush do vijë..” – refren i socialistëve të kamufluar si të pavarur. Po paguan refrenin “Jeni kundër drejtësise e po mbronin te korruptuarit e 25 viteve” – refren po i socialistëve të kamufluar si të pavarur. Po paguan edhe refrenin trumushk “Pa ikur Basha nuk ikën Rama, sepse Basha e mban Ramën” – refren i demokratëve të rremë dhe i opozitarëve me pagesë. Me këto refrene u dobësua opozicioni shoqëror, u hutua dhe u trollos gjykimi, u turit e u manipulua arsyeja dhe kështu iu ndihmua Edi Ramës rruga për tiu vënë çelesin institucioneve: 1. Prokurorisë, që të mos ketë asnjë hetim për të dhe ministrat e tij. 2. Gjykatës Kushtetuese që të mos ketë asnjë instancë që tia ndalojë miratimin e ligjeve dhe amendamenteve me qëllime shkatërruese, si 30 korriku, si ligjet e tjera për divident e koncesione. Këto janë shkaqet, ndër të tjera. Ndaj të mos lodhen shumë analistët si Bushati me shokë, me analiza, me kacavjerrje, jo po lideri i opozitës djali i mirë, jo po djali i urtë. Është si në lokal; po porosite raki, të vjen fatura me çmimin e rakisë dhe duhet ta paguash atë çfarë porosite. Kjo shoqëri (një pjesë), plus kjo media, plus këta ndërkombëtarë, në emrin tonë dhe për të mirën tonë, pa dyshim, porositën ketë gjendjen e sotme, diktaturën, dhe kjo diktaturë po na vjen si faturë për porosinë e bërë. Të gjitha stërhollimet janë të kota. Kur politika, mafia, media dhe ndërkombetarët tanë të dashur, bëhen bashkë për të shkelur kushtetutën dhe të kërcënojnelë nëse nuk ua pranon shkeljen, këtu ska faj pala e dobët, opozita. As nuk është lideri i opozitës një çun i mirë që e mashtrojnë të shkretin. Rregullat ishin ato, kushtetuta ishte ajo, PD dhe lideri, lidershipi i saj me gjerë, u sollën duke iu referuar atyre rregullave kushtetuese. Nëse tu referohesh rregullave je çun i mirë që të mashtrojnë (sepse t’i ndryshojnë me pabesi rregullat e lojës), me vjen keq por me duhet të them se ata që mendojnë kështu dhe përpiqen ta gjejnë fajin apo shkakun tek PD, kanë probleme me formimin dhe me moralin. Kanë probleme me gjykimin. Ka vetëm një zgjidhje; shqiptarët ta kuptojnë se çfarë është porositur në emër të tyre dhe të ikin pa e paguar diktaturën, se nuk e kanë porositur ata.