Për zbatimin e Reformës në Drejtësi pengesë do bëhet SPAK?


Nga Admir Malaj

Sa më shumë flasin prokurorët e SPAK aq më shumë kumbulla lëshojnë. Ky është mendimi im!
Më vjen shumë keq për familjet e të ndjerëve që sot duhet, që përtej dhimbjes së humbjes për shkaqe të tjera të familjarëve, të dëgjojnë ende justifikimet alla-paçavure të SPAK që u solli të ndjerëve të tyre fletë-ndalimet në shtëpi.
Pse?
Lind natyrshëm pyetja si ndalohet një person në hetim.
E para, nëse personi është nën hetim, ai/ajo kësisoj është i survejuar nga organet që kryejnë hetimet, kjo e bën dhe më të thjeshtë ndalimin në rast se vendoset nga Gjykata, ose në flagrancë;
E dyta, pas mbledhjes së provave paraprake, nëse prokurori krijon bindjen për fajësinë e personit nën hetim, paraqet pranë gjykatës kërkesën për ndalim deri në përfundim të hetimit, duke kufizuar liritë individuale nëse i dyshuari paraqitet rrezik shoqëror, për arratisje, për prishje provash etj.
E treta, në momentin e ndalimit është shumë e rëndësishme mbajtja e sekretit hetimor, sepse pritet që në rrjetën e ngritur nga grupi i prokurorëve të bien dhe peshq të mëdhenj, ndryshe ke numër ndalimesh po nuk ke cilësi dënimesh më vonë.
Mund të them pa frikë se mendimi im është se SPAK me urdhër-ndalimet e lëshuara, pikë-për-pikë në arsyetimin më lart ka treguar se:
E para, të dyshuarit nuk kanë qenë nën survejim, se ndryshe do dihej që ishin të ndjerë dy prej tyre;
E dyta, Gjykata nuk ka arsyetuar fare mbi masën e ndalimit, pasi çfarë rreziku shoqëror, arratisjeje apo prishje prove paraqet një i ndjerë (?);
E treta, duket qartë se sekreti hetimor është prishur, pasi në mendimin tim, tani prokurorët treguan me faktet dhe deklaratat se hetim nuk ka pasur, nuk ka pasur survejim, pra çfarë di mileti, aq dinë dhe prokurorët, nuk ka sekret hetimor sepse ska asnjë sekret.
SPAK në mendimin tim ka bërë një gabim i cili duhet pranuar por nuk duhet të kalojë pa ndëshkim.
Nuk mundet, nuk duhet dhe nuk dua që institucioni ku shumë si unë, që kam dalë në shesh duke kërkuar “Reforma, Reforma”, kanë varur aq shpresa, të përfundojë si një institucion ku të dyshuarit nuk hetohen, dosjet flenë dhe ku arrestohen qytetarët kot, për statistikë, edhe kur kanë vdekur.
Mendimi im është se nëse për zbatimin e Reformës në Drejtësi pengesë do bëhet SPAK, atëherë le të jetë SPAK peshku i madh. Meqë do kaq shumë të jetë në tavë, le të përcëllohet mirë.