Konservatorët europianë dënojnë thyerjen e konsensusit nga Edi Rama: Ndalimi i koalicioneve, kundër normave demokratike

Konservatorët dhe Reformistët Europianë – ECR, një nga grupet më të fuqishme politike në Parlamentin Europian, kanë dënuar ashpër kryeministrin Rama për prishjen e konsensusit përmes ndyshimeve të njëanshme të Kushtetutës, të cilat ECR i cilëson në kundërshtim me orientimin europian të Shqipërisë.

ECR ka ashpërsuar tonet, kur deklaron se këto ndryshime bien ndesh me rekomandimet e OSBE-së dhe janë të papajtueshme me standardet e NATO-s dhe Bashkimit Europian.

ECR i është drejtuar partisë në pushtet me thirrjen e drejtpërdrejtë që t’i qendrojë Marrëveshjes së 5 qershorit dhe kodifikimit konsensual të kesaj marrëveshje, qe tani është ligj.

Më poshtë deklarata e plotë:

Partia e Konservatorëve dhe Reformatorëve Europianë- ECR dënon me forcë thyerjen e qëllimshme nga kryeministri Rama të konsensusit që partitë politike në Shqipëri arritën në 5 qershor me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për Reformën e Kodit Zgjedhor të Shqipërisë.

Veprimi i njëanshëm i qeverisë Rama për të ndryshuar Kushtetutën, duke ndryshuar rregullat elektorale vetëm disa muaj para zgjedhjeve të planifikuara, me qëllim për të ndaluar partitë e opozitës të krijojnë koalicione elektorale, shkon kundër orientimit europian të Shqipërisë.

Partia e Konservatorëve dhe Reformatorëve Europianë-ECR është shumë e shqetësuar me këtë praktikë, e cila është në kundërshtim të rekomandimeve të OSBE-së për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që është i papajtueshëm me standartet dhe normat demokratike të NATO-s dhe vendeve anëtare të BE-së. Partia ECR i bën thirrje partisë qeverisëse të Shqipërisë t’i qëndrojë Marrëveshjes së 5 qershorit për Reformën Zgjedhore dhe kodifikimit të saj të miratuar në mënyrë konsensuale, që është tani ligj.