Gjykata anulon dënimin me vdekje për autorin e sulmit terrorist gjatë maratonës së Bostonit

Një gjykatë federale e apelit rrëzoi të premten dënimin me vdekje për Dzhokhar Tsarnaevin, i dënuar për shpërthimet gjatë Maratonës së Bostonit të vitit 2013.

Trupi gjykues me tre gjyqtarë i Gjykatës së Apelit të Rrethit të Parë të Shteteve të Bashkuara në Boston dha vendimin më shumë se gjashtë muaj pasi u dëgjuan argumentet për këtë çështje.

Sulmi i 15 prillit 2013 shkaktoi vdekjen e tre personave dhe plagosjen e më shumë se 260 të tjerëve.

Avokatët e zotit Tsarnaev kishin argumentuar se mbulimi intensiv i mediave kishte bërë të pamundur të kishte një gjykim të drejtë në Boston. Ata gjithashtu treguan postimet në mediat sociale nga dy anëtarë të jurisë duke sugjeruar se ata kishin mendime të forta edhe para fillimit të gjyqit në vitin 2015.

Gjykatësit e apelit, në një seancë dëgjimore për çështjen në fillim të dhjetorit, i kushtuan hapësirë të konsiderueshme një numri pyetjesh rreth argumentit se juria kishte patur paragjykime.

Ata pyetën pse dy anëtarët e jurisë nuk ishin zëvendësuar, ose të paktën pse gjykatësi që drejtonte punimet nuk u kishte drejtuar pyetje pasi postimet e tyre dolën në dritë në prag të gjykimit.