ANALIZA| A është sot fundi i prestigjit të Amerikës? Precedenti me Shqipërinë

Nga Indrit Vokshi

Në vitin 1989, ambasadori amerikan në Gjermaninë Perendimore hyri të ndiqte një shfaqje. Të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe nisën të duartrokisnin në nderim të tij dhe të shtetit që ai përfaqësonte. Sepse asokohe, Amerika shihej si shpresë, si besim dhe si garanci. Plot 20 vite më vonë, rrëfen autori D. M (i studiuar në Amerikë), ambasadori amerikan në Berlin hyri përsëri në një shfaqje, mirëpo askush nuk u ngrit në këmbë e askush nuk duartrokiti – prania e tij ishte njëlloj sikur të mos ishte.
Mos ndoshta Amerika ishte konsumuar? Mos prestigji i saj ishte rrënuar dhe bota nuk kishte më jo venerim por as respekt për Amerikën? Ky është shqetësimi i shumë njerëzve dashamirës ndaj SHBA-ve. Nëse një i majtë si Dominique Moisi ndihet keq nga mosrespekti për Amerikën sepse mund ta ketë dëshiruar Amerikën e tij si instrument të fuqishëm i cili të përdoret për përhapjen dhe mbrojtjen e ideve të majta dhe liberalizmit në rang global, ne si shqiptarë shqetësohemi po njëlloj por.. për arsye të tjera.
Në vitin 1991, vizita e James Beker, sekretar i shtetit, ndoshta u pa si vizita e një misionari i cili mbërrinte për të çliruar një popull të shtypur. Jo pse James Beker ishte afirmuar si profet global por sepse shteti i tij, Amerika, gëzonte prestigjin prej shteti që ndihmon, që mbron vlerat demokratike dhe është kundër diktaturave. Ky ishte imazhi vezullues i Amerikës së asokohëshme. Sot, dukeqenëse Amerika nuk ka më interesin që ka pasur në vitet 1990 për Ballkanin, prania është reduktuar, Shqipëria është diku në qoshe e kësisoji akush nuk merret me prioritet me të, ndaj kanë diskrecion më të madh ambasadorët. Sot imazhi i Amerikës në sytë e shqiptarëve është dëmtuar rëndë. Nuk e ka dëmtuar as Kina, as Rusia, megjithë përpjekjet, por e kanë dëmtuar vetë ambasadorët amerikanë të cilët, thënë shkoqur, mbajnë anë, janë të anshëm politikisht. Nuk mbajnë anë për interesa strategjike e sigurie, sepse asnjëra parti nuk po u flirton me Rusinë apo me Kinën. Mbajnë anë për interesa konjukturale të ekipeve të vogla ku bëjnë pjesë, mik mbas miku, ndërhyrje pas ndërhyrjeje, lobim pas lobimi. Reforma në Drejtësi e imponuar me dhunën dhe kërcënimin amerikan, megjithëse shihet si e diskutueshme, megjithëse ka dëmtuar shtetin më shumë se ka rregulluar punë, megjithëse kanë gjetur edhe një justifikim e një ngushllim dhe thonë se “Do jetë e dhimbshme dhe e ngadaltë”, duke dashur të mbulojnë dreqosjen e saj, ajo është shkaktare e disa problemeve themelore. Dhe kjo e vërtetë nuk mund të mbulohet duke akuzuar njerëzit si kundërshtarë të reformës. Eshtë bërë e bajatshme tashmë. Reforma shkatërroi Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në botë, pa gjykata edhe formaisht. Shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese i hapi rrugë “Ligjit për teatrin” ku synohej të grabiteshin 9000 metra katror tokë në kryeqytet, për të pastruar aty rreth 400 milion euro të krimit të organizuar. Sepse nuk pati gjykatë për ta shfuqizuar ligjin. Mungesa e gjykatës i dha mundësi pushtetit të miratojë ligjin për dividentin me të cilin oligarkëve u falen 16 milion euro që do duhej tia paguanin buxhetit. Mungesa e gjykatës i hapi rrugë pushtetit të Edi Ramës për të miratuar ndalimin e koalicioneve, si komplot kundër partive të opozitës për të mos i lejuar të bashkohen në koalicion kundër tij. E gjithë kjo, falë mbështetjes së ambasadës amerikane për Edi Ramën, me ambasadorin Lu i cili kërcënoi deputetët e opozitës në emër të shtetit amerikan. Dhe Donald Lu as kërkoi falje, as ndjeu shqetësimin më të vogël edhe pse Viktoria Nuland mbërriti në Tiranë duke ia shfuqizuar draft-projektin famëkeq fillestar të reformës, duke ia cilësuar të papranueshëm. U transferua në Kirgistan dhe u harrua por, pasojat e tij dhe sjelljes së tij, mbetën në kurrizin e shqiptarëve. Ambasadorja aktuale nuk ka shprehur as edhe gjysëm fjale mbi komplotin kundër partive të opozitës, është paraqitur si garante por në fund është mjaftuar me një shprehjeje keqardhjeje. Amerika e cila përmes Donald Lu kërcënonte deputetë të fortë, ish-ministra e ish-kryeministra, sot nuk ka fuqi të detyrojë deputetët butaforikë si kryetari i partisë së pensionistëve për të mos votuar komplotin kushtetues? Ky është poshtërim për fuqinë amerikane. Por nëse kjo nuk ndodh prej pafuqisë por ndodh sepse ambasada pajtohet me komplotin kushtetues, kjo përsëri i rëndon imazhit dhe prestigjit të Shteteve të Bashkuara. Sepse në sytë e shumë shqiptarëve ajo shihet si mbështetëse e diktaturës, nuk shihet pra, siç shihej në vitin 1989 në Berlin e në vitin 1991 në Tiranë, si mbrojtëse e demokracisë. Nëse zonja ambasadore ka kuptuar se diktatori Rama nuk pyet për fuqinë e Amerikës dhe kësisoji, meqenëse nuk mundet ta ndalojë dhe të ndikojë tek ai, ka zgjedhur të heshtë që njerëzit të mos e shohin pafuqinë e Amerikës për tu imponuar, kjo është gabim. Do të ishte në nderin e Amerikës që të prononcohej, me vetëm një dekleratë dhe shqiptarët do t’i zgjidhnin vetë hesapet me diktatorin vendor. Shqiptarët druhen ndaj diktatorit sepse mendojnë se nëse ngrihen kundër tij, do të ndëshkohen nga fuqia e Amerikës. Pse? Ndodhi në vitin 2019 kur drejtori për Ballkanin në Washington, Mathew Palmer, kërcënoi partitë e opozitës në Shqipëri duke iu thënë se nëse do të kundërshtonin me forcë zgjedhjet njëpartiake që diktatori po zhvillonte, Amerika do t’i shpallte këto parti organizata terroriste. Ky është problemi. Kurthi i Madh, gjithashtu, për shqiptarët, është se Amerika mbetet faktor gjeostrategjik i rëndësishëm për paqen ballkanike dhe shqiptarët nuk kanë partner tjetër kaq të fuqishëm dhe Ballkani nuk ka formulë më të mirë paqeje sesa paqja amerikane. Ketë shfrytëzojnë konjukturat ambasadoriale dhe nga kjo pëfitojnë. Mirëpo historia e botës, duke qenë e mbushur me ngjarje të çuditshme, na paralajmëron edhe për ngjarje të çuditshme në të ardhmen, në Shqipëri. Mund të ndodhë që kur ambasadori amerikan të futet në ndonjë konferencë, askush të mos ngrihet në këmbë për nder të tij. Pa dyshim, me SHBA duhet të ruajmë partneritetin gjeostrategjik në Sherbimin Informativ Kombëtar dhe në Shërbimin Informativ të Ushtrisë por në sytë e shqiptarëve, do të vdesë krijesa mitike e mitologjike e ambasadorit amerikan, si misionar e si çlirimtar nga diktaturat. Sepse ketë krijesë po e vrasin vetë ata.