Aleatët sërish do të vonojnë…!

Namir Lapardhaja

Gjyshja tregonte se më 1944, kur lufta kishte përfunduar, i vëllai, Jakup Shalësi, një ndër komandantët e rëndësishëm të Ballit për Beratin, kishte ende shpresë tek zbarkimi i aleatëve.
Një ditë ajo i kishte thënë të shihte mundësinë e largimit nga vendi, sepse komunistët nuk do t’ia falnin asnjëherë, kurse ai i ishte përgjigjur plot besim se tani e ka Anglia në dorë dhe me largimin e gjermanëve, do të zbarkojnë britanikët.
Zbarkim që nuk ndodhi kurrë.
Komunistët e morën të vetëm pushtetin.
Ndër të parët e arrestuar në Berat ishte i vëllai. Gjyqi popullor e dënoi me vdekje.
Vetëm pas 45 vjetësh anglezët së bashku me amerikanët do të “zbarkonin” në Shqipëri për të bërë realitet shpresën e tij.
Më 22 tetor 1993, plot 48 vjet pas ekzekutimit, në të hyrë të Beratit, në një rrëpirë kodre, u gjetën skeletet e një trupi të madh, lidhur me pranga gjermane, me një trup më të vogël dhe të imët.
Ishin eshtrat e Jakup Shalësit dhe Asqeri Numanit të pushkatuar në vitin ’45 nga komunistët në pritje të zbarkimit të aleatëve.