Lali Euro me COVID19, por u jep 3 kompanive të ndërtimit truall ndërtimi publik për pallate

Bashkia e Tiranës ka miratuar në mbledhjen e fundit tre kontrata sipërmarrjeje, për ndërtim me kompanitë “Milo 2000”, “Arlis sh.p.k.” dhe “Startek” për dhënien në shfrytëzim të pasurive të saj për ndërtim.

Bazuar në këto kontrata sipërmarrjeje, në këmbim të dhënies së pronës, Bashkia do të marrë 40% të sipërfaqeve ndërtimore për pjesën që ka vendosur në dispozicion të sipërmarrësit.

Bashkia i kishte përfituar këto pasuri në periudhën 2017-2018, nëpërmjet disa vendimeve të kalimit të pronësisë nga Këshilli i Ministrave, për t’u përdorur në fushën e zhvillimit dhe planifikimit të territorit.

Ndërkohë një vendim i miratuar në vitin 2018 “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”, i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës të japë pronat e saj për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të Partneritetit Publik-Privat. Nëpërmjet këtij modeli të zhvillimit të pronave të saj, bashkia thotë se synon që të përfitojë sipërfaqe ndërtimore, për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj.

Pas miratimit të këtij vendimi, Bashkia kishte nisur negociatat me kompanitë dhe tashmë kontratat e sipërmarrjes janë finalizuar.